Celibashi nga Himara: S’pati asnjë kërkesë për shtyrjen e afatit të kartave të identitetit

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi sot se, procesi në bashkinë e Himarës është duke shkuar përgjithësisht normalisht.
Në një prononcim për mediet nga Himara, Celibashi foli lidhur me moslejimin e votimit të qytetarëve që kanë karta identiteti të skaduara.
“Ashtu sikurse dhe ju e keni raportuar çështja që ka qenë objekt i diskutimit dhe sjelljes në vëmendje nga ana juaj është ajo e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit, por sikurse edhe më herët e kemi bërë me dije, kjo është një çështje që nuk ka të bëjë aspak, në radhë të parë me përgjegjësitë e KQZ-së, por është një çështje që mbetet jashtë procesit zgjedhor në themelin e vetë”, tha Celibashi.
Komisioneri u shpreh se, “është e vërtetë që janë rreth 6 mijë votues të cilëve dokumenti i identifikimit ose u ka skaduar ose u skadon deri në ditën e sotme. Gati e njëjta shifër votuesish ka qenë edhe në zgjedhjet e kaluara”.
I pyetur pse nuk u mor një vendim nga ana Këshillit të Ministrave me një akt normativ për këtë çështje dhe nëse ka komunikuar KQZ me Ministrinë e Brendshme, ai tha se, “ne e kemi bërë këtë komunikim sa herë ka pasur kërkesë nga partitë politike. Nuk e kemi pasur në këtë rast një kërkesë të tillë zyrtare nga partitë. E kemi pasur në mënyrë informale ditët e fundit për hir të së vërtetës, por mbetet jashtë sferës së përgatitjes dhe vëmendjes së KQZ”.
Natyrisht, shtoi Celibashi, “është një çështje që mund të diskutohet dhe secili prej të interesuarve mund të ketë këndvështrimin e tij lidhur me këtë çështje. Ne nuk kemi pasur një komunikim me përfaqësues të qeverisë apo Ministrisë së Brendshme ditën e sotme, se nuk do kishte zgjidhje sot. Nëse do kishte zgjidhje do duhej bërë ditë më parë. Është një çështje që në fund të fundit lidhet me interesin e vetë votuesve për të pasur një dokument identifikimi ditë më parë. Më pas autoritetet përgjegjëse do të duhet t’i përgjigjen këtij interesi”.
E dyta, shtoi ai, “qëndron kështu në një lloj mënyre edhe për partitë politike apo subjektet e interesuara.
“Është në interes që lidhët së pari me vetë votuesit dhe më pas me kandidatët në garë”, tha ai.
Celibashi shtoi se, “në përgjithësi procesi ka shkuar qetë që do të thotë se ka pasur raste kur janë evidentuar problematika. Kemi raportim për një qendër votimi ku ka pasur persona të paautorizuar që mbanin shënim personat që votonin. Kanë ndërhyrë përfaqësuesit e KQZ dhe tashmë është zgjidhur”.
“Ka pasur një incident me përfaqësues të medias në Lukovë, të cilët nuk janë lejuar të filmonin. Në Shqipëri është lejuar që kameramanë, gazetarë të filmojnë në qendrat e votimit. Nëse një komisioner nuk ndihet komod me këtë gjë atëherë do të duhet të lërë detyrën”, tha më tej Celibashi.