Çelja e Grupkapitullit të fundit për negociatat e anëtarësimit, shqyrtohet Projektpozicioni Negociues. Dhuka: Theksi i BE qartazi te zgjerimi

Shqipëria po bëhet gati të çelë Grukapitullin e pestë dhe të fundit të negociatave me Bashkimin Europian, rezultantja e një procesi intensiv 10-mujor që pritet t’i hapë vendit derën e anëtarësimit në BE brenda një kohe të shkurtër.
Me kërkesë të deputetëve, të premten u mblodh Komisioni parlamentar për Çështjet Europiane për të shqyrtuar Draftpozicionin Negociues të Shqipërisë përballë Brukselit për sa i përket resurseve, bujqësisë dhe zhvillimit koheziv mes rajoneve.
Ministrja e Shtetit dhe kryenegociatorja Majlinda Dhuka deklaroi se Shqipëria po ecën me hapa të sigurt dhe sistematikë në procesin e çeljes së negociatave për anëtarësim, pas katër konferencave ndërqeveritare dhe 24 kapitujve të çelur deri tani.
“Me diskutimet që do të zhvillojmë sot me ju për sa i përket grupkapitujve, Shqipëria i përfundon përgatitjet teknike për të çelur negociatat për të 33 kapitujt. Sigurisht që unë shpreh këtu vlerësimin e madh për mbështetjen dhe vullnetin politik të vendeve anëtare, mbështetjen e çmuar të Komisionit Europian. Qartazi duket theksi i ripërtërirë i Bashkimit Europian te zgjerimi,” theksoi kryenegociatorja Dhuka.
Mbledhjen e ditës e drejtoi zëvendëskryetarja e Komisionit, Etilda Gjonaj.
Të pranishëm ishin edhe ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor dhe negociatori për kapitullin 22, Arbjan Mazniku; zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, negociator për kapitullin 11–12, Arjan Jaupllari; zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, negociator për kapitullin 13, Roland Kristo; dhe zv.ministrja e Financave dhe negociatorja për kapitullin 33, Erjona Çela; si edhe grupet e punës.
Para zhvillimit të diskutimeve me dyer të mbyllura, znj. Gjonaj e konsideroi procesin e anëtarësimit një histori suksesi për Shqipërinë, për qeverinë shqiptare dhe për gjithë administratën publike. Prioriteti kryesor i këtij procesi janë qytetarët shqiptarë, tha ajo.
“Grupkapitulli i 5-të trajton çështje të cilat kanë problematika persistente. Së pari, bujqësia dhe mbështetja e prodhimit bujqësor, për Bashkimin Europian, politika e përbashkët bujqësore, është një nga politikat kryesore, më të rregulluara dhe më të kushtueshme. Për Shqipërinë është një degë shumë e rëndësishme e ekonomisë dhe është bazë për zhvillimin e industrisë dhe turizmit, me një impakt shumë të madh te gjithë popullsia në Shqipëri. Pozicioni negociues që është paraqitur synon një integrim sa më të butë të bujqësisë shqiptare në bujqësinë intensive europiane, duke ofruar kështu mbështetje maksimale për bujkun shqiptar dhe duke mbrojtur prodhimet shqiptare.
Kapitulli për politikat e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitetit kanë një rëndësi të madhe për prodhuesit dhe konsumatorët shqiptarë. Siguria ushqimore në veçanti kërkon investime të rëndësishme edhe në reformën e sistemit të kontrollit dhe inspektimeve në lidhje me ligjin e ri për inspektimet në Republikën e Shqipërisë, ashtu si edhe riorganizimi i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, integrimit institucional për të siguruar cilësinë e duhur të produkteve ushqimore nga prodhimi në fermë deri te konsumatori, të cilat do të jenë hapa të nevojshëm, që janë pjesë e këtij pozicioni negociues.
Kapitulli 22 në lidhje me koordinimin e mbështetjes financiare të Bashkimit Europian për zhvillimin dhe kohezionin mes rajoneve është gjithashtu me shumë rëndësi. Në këtë kapitull, një rëndësi të madhe do të ketë edhe përgatitja e institucioneve shqiptare për të menaxhuar fondet e Bashkimit Europian, që nga planifikimi afatgjatë deri te monitorimi i zbatimit të projekteve. Vijimi i reformës në administratën publike është një parakusht për një përparim të shpejtë në procesin e anëtarësimit, ku pa dyshim kërkohet një bashkëpunim shumë i gjerë me shoqërinë civile, universitetet, bizneset dhe çdo grup tjetër interesi, edhe me qytetarët,” tha znj. Gjonaj.
/rtsh.al/