Ceremoni madhështore për varrimin e Thatcher
Mbi 11 milionë paund të shpenzuara dhe pjesëmarrje nderi nga e gjithë bota
Në katedralen e Shën Palit në Londër u zhvillua ceremonia mortore për ish-kryeministren britanike Margaret Thatcher. Ceremonia u mbajt në praninë e Mbretëreshës Elisabeth, të personaliteteve nga e gjithë bota dhe gjithë kryeministrave të tjerë britanikë që pasuan Zonjën e Hekurt. Kryeministres së parë grua të Britanisë së Madhe, Margaret Thatcher, iu rezervua një funeral me nderime të plota ushtarake.
Arkivoli me trupin e zonjës Thatcher u soll në Katedralen e Shën Palit me një procesion solemn, i vendosur mbi një shtrat topi të tërhequr nga gjashtë kuaj të zinj. Në rrugët ku kaloi procesioni sot mbretëronte qetësia.
Nën masa të rrepta sigurie, në Katedralen e Shën Palit ishin mbledhur më shumë se 2300 të ftuar. Mes tyre kishte rreth 30 anëtarë të kabineteve të drejtuar nga Zonja e Hekurt mes viteve 1979 dhe 1990, duke përfshirë lordët Heseltine dhe How, të cilët e sfiduan zonjën Thatcher, duke çuar më në fund në largimin e saj nga pushteti.
Në ceremoni morën pjesë të gjithë anëtarët e kabinetit të tanishëm të kryesuar nga Kryeministri David Cameron. Në Katedrale erdhi edhe mbretëresha Elisabeth me bashkëshortin, princin Philip.
Mes pjesëmarrësve ishin 11 kryeministra dhe dy krerë shtetesh nga e gjithë bota. Ndodheshin gjithashtu ish-sekretari amerikan i Shtetit, Henry Kissinger, dhe ish-nënpresidenti amerikan, Dick Cheney. Por ra në sy mungesa e ish-udhëheqësit sovjetik Mikail Gorbaçov dhe e zonjës Nancy Reagan, e veja e Presidentit amerikan, Ronald Reagan, aleati i madh i zonjës Thatcher, të cilët nuk ndodheshin për arsye shëndetësore.
Disa mungesa të tjera në listën e të ftuarve u bënë shkak për zëra se mospjesëmarrja ishte për arsye diplomatike. Një zëdhënës i Kryeministrit Cameron mohoi se Shtetet e Bashkuara po tregonin mospërfillje, duke mos dërguar ndonjë zyrtar të lartë të kabinetit Obama. Kur arkivoli arriti në katedrale, në krye të procesionit ecnin nipi dhe mbesa e baroneshës Thatcher, Michael dhe Amanda.
Qëllimisht, në fjalimin e tij, peshkopi i Londrës, Richard Chartres, nuk foli për trashëgiminë politike të zonjës Thatcher, por tha se ceremonia mortore ishte një vend ripajtimi, ku flitet për të vërtetat e thjeshta që e kapërcejnë debatin politik. Por jashtë katedrales atmosfera u kujtoi njerëzve ndarjet e hidhura politike gjatë viteve të Thacher-it, kur një numër protestuesish iu afruan procesionit.
Disa prej tyre shprehnin zemërim për koston e lartë të ceremonive mortore që thuhet se kapnin 10 milionë sterlina, megjithëse sipas zyrtarëve, shifra e vërtetë ishte shumë më e vogël. Ndonëse zonjës Thatcher nuk iu rezervua funeral shtetëror si Winston Churchill në vitin 1965, një pompozitet i tillë nuk është parë në Londër që nga vdekja e nënës mbretëreshë në vitin 2002.
Cameron tha se ceremonia ishte një nderim i merituar për një figurë të madhe kombëtare, Kryeministrja që qëndroi më gjatë se askush tjetër në këtë post gjatë shekullit të 20. Zonja Thatcher vdiq javën e kaluar në moshën 87-vjeçare.
Ceremoni madhështore për varrimin e Thatcher burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email