Ceremonia e bulevardit të ri/ I pranishëm Jamarbër Malltezi, Paloka kërcënon qytetarët. Komenton edhe Berisha
(E PERDITESUAR)- Ceremonia për nisjen e punimeve për bulevardin e ri të Tiranës u shoqërua me protesta nga ana e banorëve të shtëpive që do të shpronësohen për ndërtimin e tij.
Banorët thonë se ata do paguhen shumë pak dhe për këtë arsye janë organizuar për të mos lejuar kryetarin e Bashkisë, Lulzim Basha, që të flasë.
Forca të shumta policie dhe ato RENEA kishin mbërritur për të mbrojtur Bashën, që mbajti një fjalim të shkurtër.
Por duket se nuk ka pasur nevojë për mbrojtje deputeti i PD, Edi Paloka, që u përplas verbalisht me banorët.
Do tua këpus qafën por mos flisni, kërcënoi Paloka banorët, raporton A1Report.
Ndërkohë në ceremoni ka qenë i pranishëm edhe dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi, që është edhe konsulent për projektin e ri të planit rregullues të Tiranës.
Nisjen e punimeve për bulevardin e ri e ka komentuar edhe kryeministri në largim, Sali Berisha.
Ai tha se ky bulevard i jep Tiranës pamjen e një metropoli modern.
Bulevardi i ri zhvillon gjysmën e braktisur e të paralizuar prej mbi 80 vitesh të Tiranës, krijon mijëra e mijëra vende pune, i jep kryeqytetit pamjen e një metropoli modern europian dhe garanton një përmirësim të madh të trafikut, gjelbërimit, tregut dhe punësimit. Sistemimi i lumit të Tiranës e shndërron atë nga një zonë e shëmtuar hedhurinash në një zonë shumë të bukur rekreative. Mirënjohje të thellë donatorëve bujarë, autoriteteve të UAE, Katar, Kuvajt, Bashkisë së Tiranës, kryetarit te saj, studios Grimshaw dhe dhjetëra e dhjetëra ekspertëve të shoqërisë civile për këtë vepër themeluese, monumentale të Tiranës së shekullit të 21-të, shkruan Berisha në FB./ep

