Çështja “Babale”, Gjykata e Apelit shtyn sërish seancën gjyqësore për Ervin Salianjin

Gjykata e Apelit Tiranë ka shtyrë sërish seancën gjyqësore ndaj deputetit Ervin Salianji lidhur me çështjen “Babale”, ku demokrati është akuzuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për kallëzim të rremë.
Sipas njoftimit për media, shkak për shtyrjen e seancës është bërë mungesa e një prej anëtarëve të trupit gjykues. Apeli nuk ka dhënë një datë për mbajtjen e seancës së radhës.
“Ne vijim te komunikimeve mbi veprimtarine e Gjykates se Apelit Tirane, ju njoftojme se: Sot me date 30.01.2023 ora 13:30, eshte planifikuar seanca gjyqesore e ceshtjes penale ndaj te pandehurve Ervin Salianji, etj. Ju komunikojme se dhe sot per arsye objektive nje nga anetaret e trupit gjykues nuk do te jete i pranishem. Ne kushtet e mesiperme, seanca gjyqesore nuk do te mund te zhvillohet. Dita dhe ora e seances se ardhshme do te komunikohet sapo te caktohet”, thuhet në njoftim
Salianji u shpall fajtor për veprën penale kallëzim i rremë në lidhje me çështjen “Babale”. PD e ka protestuar jo pak herë vendimin e shkallës së parë që e shpalli Salianjin fajtor për shpifje duke e dënuar me 1 vit burg. Sipas PD, prokurorët dhe gjyqtarët janë të kapur nga qeveria dhe se kjo e fundit kërkon t’i heqë mandatin Salianjit.
/rtsh.al/