Çështja “Balluku”, Berisha: Gjykata Kushtetuese rrëzoi një kërkesë që ishte si një grusht shteti

TIRANË, 7 shkurt /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi sot pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila pas 10 orësh diskutime nuk arriti të marrë një vendim mbi kërkesën e Kryeministrit për heqjen e pezullimit të zëvendëskryeministres, njëherësh ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku, duke lënë në fuqi vendimin e GJKKO.
Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha vlerësoi qëndrimin e disa prej gjyqtarëve dhe theksoi se rrëzuan një kërkesë që ishte baras me një grusht shteti kundër shqiptarëve.
“Pas 9 orësh, të ndryrë në një sallë, Gjykata Kushtetuese nuk mori dot vendim për të pranuar kërkesën e Edi Ramës. Në këtë kuadër, unë vlerësoj qëndrimin e atyre gjykatësve, të cilët me guximin e tyre rrëzuan një kërkesë që ishte baras me grusht shteti kundër shqiptarëve”, tha Berisha.
Megjithatë, Berisha tha se gjykata i dha kohë mbi dy muaj Ballukut që “të fabrikojë dhe të falsifikojë çdo dokument”.
Ai theksoi se ndarja katër me katër në Kushtetuese bëri që kërkesa e Ramës të mos miratohej.
“Të paktën vendimi ishte që kërkesa e Edi Ramës nuk u miratua dhe përfundoi në kosh të plehrave”, deklaroi Berisha.
Në vijim të fjalës së tij, Berisha bëri thirrje për mobilizim të opozitës, duke kërkuar që “populli opozitar të shumëfishojë energjitë dhe forcat” deri në largimin e qeverisë.
Berisha u shpreh i bindur se reagimi qytetar do të sjellë ndryshim.
“Jam i bindur se kryengritja paqësore e juaj, e guximtarëve shqiptarë, do të rikthejë Kushtetutën, ligjin. Do të rikthejë votën shqiptarëve, qeverinë teknike, zgjedhjet e lira, fitoren e opozitës”, u shpreh Berisha
/m.q/a.f/