Çështja “Balluku”/ Kushtetuesja ndahet 4 me 4, mbetet në fuqi pezullimi nga detyra

Pas rreth 10 orësh mbledhje, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin mbi ankimimin e qeverisë ndaj vendimit të GJKKO, e cila pezulloi Belinda Ballukun nga detyra e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Katër anëtarë të Gjykatës Kushtetuese kanë vendosur pro pranimit të padisë së qeverisë, ndërsa katër anëtarët e tjerë kanë vendosur kundër ankimimit të qeverisë, çka le në fuqi pezullimin nga detyra për Ballukun.
Në vendimin e shpallur nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Fiona Papajorgji rezulton se kërkesa nuk ka marrë korumin e votave pasi do duhej të ishin të paktën 5 gjyqtarë.
Kujtojmë se GJKKO, me kërkesë të SPAK, e pezulloi nga detyra zv/kryeministren Balluku në nëntor 2025.
Pas këtij vendimi, Këshilli i Ministrave e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, me argumentin se GJKKO ka shkelur kufirin e një tjetër pushteti, atij ekzekutiv duke marrë kompetencat e tij si kryeministër për pezullimin ose shkarkimin e një anëtari qeverie.
Nga ana tjetër, SPAK i është drejtuar edhe me një kërkesë Kuvendit, ku kërkon heqjen e imunitetit të Ballukut si deputete, dhënien e autorizimit dhe hapjen e rrugës për të dhënë një masë më të ashpër sigurie.
Mazhoranca priste pikërisht këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese për të proceduar në Kuvend me çështjen e imunitetit të Ballukut.
Belinda Balluku është marrë e pandehur nha SPAK për shkelje në tenderin e Tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për 7 procedura të tjera prokurorimi lidhur me ndërtimin e lotëve të Unazës së Madhe në Tiranë.