Çështja ‘Balluku’, eksperti: Karriera politike e saj është e kompromentuar, gjykimi mund të përparojë shpejt! Promovimi i saj nga PS, anomali e thellë
Eksperti i çështjeve gjyqësore, Gerti Shella, i ftuar në News24, komentoi situatën ligjore të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke deklaruar se karriera e saj politike është e kompromentuar.

Sipas Shellës, një promovim i mëtejshëm politik i Ballukut do të përbënte një përjashtim nga rregulli.
“Unë mendoj që karriera politike e zonjës Balluku është e kompromentuar. Një promovim i mëtejshëm i saj do të ishte një anomali e thellë, një përjashtim nga rregulli”, u shpreh ai.
Duke komentuar ecurinë e hetimeve dhe gjykimin e çështjes, Shella tha se procesi mund të përparojë me shpejtësi, nëse Prokuroria i ka përfunduar punën e saj hetimore.
Shella u ndal edhe te standardi i zbatimit të masave të sigurimit personal për zyrtarët dhe figurat politike. Sipas tij, precedenti i krijuar nga rasti i Ballukut, lidhur me moscaktimin e një mase të rëndë sigurimi personal, nuk do të ishte i mjaftueshëm nëse nuk do të shoqërohej me një rishikim të masave të ngjashme të vendosura ndaj figurave të tjera.
Gerti Shella: Unë mendoj që karriera politike e zonjës Balluku është e kompromentuar. Një promovim i mëtejshëm i saj do të ishte një anomali e thellë, një përjashtim nga rregulli.
Do të thoja që, njësoj siç pati ndikim për ta mbyllur me shpejtësi prokuroria fashikullin e saj hetimor dhe për të shtuar akuza në përballjen e saj me drejtësinë, po në të njëjtën mënyrë edhe gjykimi i saj mund të përparojë shpejt. Mendoj që, nëse Prokuroria ka punuar, gjykimi mund të jetë më i shpejtë dhe do të qetësonte shumë shpirtra.
Interesi politik, në mënyrë të veçantë i shumicës së PS-së, është që në përballjet e saj të afërta zgjedhore, nëse do të ketë të tilla, çështja e Ballukut të mos jetë një barrë që e rëndon.
Do të ishte i pamjaftueshëm standardi i arritur apo precedenti i ri i vendosur nga Balluku në raport me moscaktimin e masës së rëndë të sigurimit personal, nëse nuk do të shoqërohej nga vetë SPAK-u me një tërheqje të masave të rënda të sigurimit personal që ka vendosur për figura të tjera. Kam parasysh këtu Veliajn.