Çështja McGonigal, Berisha: PD do të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar

Në nisje të sesionit të ri parlamentar, demokratët do të depozitojnë kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për çështjen “McGonigal”.
Kryedemokrati Sali Berisha tha se ligjvënësit demokratë do të zbardhin “aferën” Edi Rama–Charles McGonigal për asgjësimin e opozitës, ndërsa akuzoi kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, se po e zvarrit hetimin, edhe pse, sipas tij, ka dy vite që dosja e PD-së është në zyrat e Prokurorisë së Posaçme.
“Opozita do krijojë komisionin hetimor parlamentar dhe do u dëshmojë shqiptarëve veprimtarinë kriminale, Rama–McGonigal në Shqipëri. Do përpiqemi të hetojmë edhe me Kosovën, se kjo veprimtari është shtrirë dhe në Kosovë, sikundër do të demaskojë me prova dhe fakte mbrojtjen që Altin Troplini i ka bërë McGonigal-it, delinkuent dhe një nga protagonistët kryesorë në mashtrimin e madh të dosjes ruse për presidentin Donald Trump, në mandatin e tij të parë,” deklaroi z. Berisha.
Kryetari i PD-së tha se beson do të ketë një rihetim të kësaj afere edhe nga institucionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gazetare: Anisa Kadesha
/rtsh.al/