E Diel, 1 Nëntor 2026

Çezmat publike në Korçë, 10 prej tyre janë plotësisht në funksion dhe me ujë që mund të pihet

Rreth 10 çezma publike, të njohura edhe si “çezmat e Dherit” në Korçë vijojnë të jenë ende në funksion, duke u përdorur nga qytetarët, veçanërisht gjatë ditëve të ngrohta.

Sipas kontrolleve të kryera nga NJVKSH, cilësia e ujit në këto pika rezulton e përshtatshme për konsum, duke siguruar shëndetin publik.

“Aktualisht, në qytetin e Korçës janë funksionale 10 çezma publike, të cilat kontrollohen rregullisht çdo dy javë nga ana jonë. Rezultatet e analizave tregojnë se cilësia e ujit është shumë e mirë dhe plotësisht e përshtatshme për konsum nga qytetarët”, tha Minga.

Minga bën me dije se monitorimet janë përqendruar më shpesh në tre prej çezmave më të frekuentuara, konkretisht në parkun “Rinia”, te “Qyteza e Fëmijëve” dhe në lulishten e Shën Marisë. Këto zona, për shkak të fluksit të lartë të qytetarëve dhe vizitorëve, mbeten prioritare për kontrolle të vazhdueshme.

Nga 13 çezmat e famshme të Korçës të cilat ishin dhe pika referimi për udhëtarët e largët, ose siç janë quajtur ndryshe çezmat e dherit, sot numërohen vetëm Çezma e Amzës, ajo e lulishtes Themistokli Gërmenji, Shetros, Papa Llambros dhe e lulishtes Vangjush Mio.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›