E Shtunë, 31 Tetor 2026

Champions luhet edhe Valencia-PSG

Champions League rikthehet me ndeshjet e turit të 1/16-ave dhe, përveç sfidës Celtic-Juventus, një tjetër përballje e vështirë luhet në “Mestalla”.

Bëhet fjalë për ndeshjen Valencia-PSG, apo më mirë një mini-sfidë mes Soldado-s dhe Ibrahimovic. Spanjolli, në këtë edicion në Europë, ka shënuar deri tani 4 gola, ndërsa suedezi është ndalur në kuotën e 2 të tillave.

Zlatan, i cili zakonisht nuk arrin të jetë deciziv në Europë, kërkon të bëjë kthesën këtë sezon, duke filluar pikërisht nga takimi i parë në transfertë.

Kuotat e basteve japin favorit Valencian, koeficenti i së cilës është 2,35, ndryshe nga vlerësimi ndaj PSG-së, e kuotuar me 2,9. Megjithatë, për kalimin e këtij turi kompanitë e basteve janë të të njëjtit mendim: PSG.

Është e sigurt tashmë që David Beckham nuk do të debutojë me ekipin francez në Champions, pasi nuk është grumbulluar nga Ancelotti.

Ancelotti, e ardhmja e pasigurt

Kontrata e teknikut italian është drejt skadencës, edhe pse llogaritë do të bëhen në fund të sezonit. Ancelotti ka zbuluar për “L’Equipe” se ka firmosur për Parisin deri në fund të qershorit, me një opsion për të rinovuar edhe për një tjetër vit, në rast se përfundonte në 3 vendet e para të kampionatit.

Trajneri ka bërë të ditur se nuk ka rinovuar kontratën aktuale, por ka shpjeguar: “Kam dëshirë të qëndroj, por nëse klubi nuk është i kënaqur... Gjithsesi nuk jam në ankth, jam i qetë dhe do të pres fundin e sezonit për të bërë bilancin”.

Fjalë këto që duken si një “lamtumirë” paraprake, që mund të hapë një skenar të ri në merkato. Nëse Ancelotti do të largohet nga Parisi, mund të mbërrijë Mourinho, i cili duket se do t’i japë fund epokës së tij te Real Madrid. Mbase mund të jetë një rotacion mes të dyve?...

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›