Charles Dickens, plagjiator

Fantazmat që e terrorizojnë dhe përfundimisht e përmirësojnë Scrooge-n në romanin ‘A Christmas Carol’ mund të kenë qenë për shkak të një ankthi të sjellë, siç e ka vënë koprraci, nga ‘një pjesë e patrazuar e mishit, një njollë mustardë, një thërrime djathë’.
Tani një ekspozitë e re në Bibliotekën Britanike, e cila shënon dyqind-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Charles Dickens në vitin 2012, sugjeron se misteri i vërtetë i një tregimi tjetër fantazmash nga autori mund të ketë pasur një lloj fillimi prozaik: një dorëshkrim të cili gjoja ai e ka vjedhur nga një rival.
Dickens ka shkruar disa nga historitë drithëruese më të pëlqyera në gjuhën angleze – por ai nuk e ka pëlqyer një artist, i cili e ka akuzuar atë për plagjiaturë të fantazmës së tij në një libër të botuar në vitin 1861.
Shkrimtari dhe artisti Thomas Heaphy e ka akuzuar ashpër Dickens-in për përdorim tinëzar dhe copëtim të tregimit të tij, të cilin ai ua kishte dërguar botuesve.
Miku dhe biografi John Forster e ka përshkruar Dickens-in si ‘të prirë pas fantazmave’.
Por Andrea Lloyd, kurator i ekspozitës në British Library, thotë se shkrimtari ka qenë gjithmonë i kujdesshëm për të përfshirë një shpjegim të mundshëm racional në shkrimet e tij me fantazma.
Ai ka qenë i fascinuar nga okultizmi, një gjeni që evokon atmosferë të frikshme dhe personazhe të ligë e të fuqishëm.
Në vitin 1861 Dickens e botoi një shkrim në revistën e tij ‘All the Year Round’, të titulluar ‘Four Ghost Stories’ (Katër tregime fantazmash). Njëri prej tregimeve paraqiste një grua të re të bukur që i kërkonte një piktori të portreteve nëse ai mund ta kujtonte fytyrën e saj aq mirë sa ta pikturonte nga kujtesa muaj më vonë.
Artisti u përgjigj se ndoshta mundet, por më shumë do të preferonte mënyrën tradicionale.
“E pamundur”, u përgjigj ajo, “nuk mund të jetë”.
Ndodh që ajo tashmë është e vdekur dhe portreti kërkohet për ta ngushëlluar babanë e saj të pikëlluar.
Tregimi vështirë se është arritja më e përsosur e Dickens-it, por pa dyshim se ka shkaktuar një reaksion në Heaphy, tani një artist tërësisht i harruar i periudhës viktoriane. (Tate dhe National Portrait Gallery kanë të dyja vepra të babait të tij në koleksionin e tyre, por asgjë nga ai).
Heaphy i ka shkruar Dickens-it me zemërim, duke pohuar se jo vetëm që ka shkruar një tregim identik, të gatshëm për botim në numrin e Krishtlindjes së një reviste rivale, por kjo gjë i ka ndodhur atij vërtet.
Asnjëherë nuk ka pasur ndonjë shpjegim për misterin: Dickens insistonte se ka qenë tërësisht i pafajshëm ndaj plagjiaturës.
Ai e ka quajtur këtë episod, shkruan Forster, “Aq origjinal, aq të jashtëzakonshëm, aq larg versionit që e kam botuar saqë të gjitha tregimet tjera zbehen para këtij”.
“Gjithçka e lidhur me të është mahnitëse; por mendojeni këtë – piktori i portretit ka qenë i angazhuar për ta shkruar diku tjetër si tregim për Krishtlindjet e ardhshme dhe jo panatyrshëm është habitur kur e ka parë vetën të përfshirë në ‘All the Year Round’, ku ka pasur tradhti nga botuesit e tij”.
Ekspozita përfshin një botim shumë të rrallë, një broshurë të vogël të titulluar ‘A Wonderful Ghost Story Being Mr H's Own Narrative’, të cilën artisti e botoi vite më vonë, duke e dhënë versionin e vet të tregimit. (The Guardian)