Çifti ulqinak nga SHBA: Festojmë pavarësinë në Tiranë, këtu janë rrënjët tona

Kaluan oqeanin për të festuar 28 nëntorin në Tiranë. Sibia dhe Mustafa Pelinku, me origjinë nga Ulqini, jetojnë prej 50 vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Çdo vit kanë ndjekur paradën e shqiptarëve në New York, ndërsa këtë vit erdhën në Tiranë për 112 vjetorin e Pavarësisë.
Gëzimin e kësaj dite në atmosferën kuq e zi të Tiranës e përshkruajnë me emocion.
“Shumë po gëzohna që po kalojmë këtë ditë në Shqipëri.”, tha Sibia.
“Është shumë e bukur së në Neëyork. Ketu me emocionuese. Ne kemi 50 vjet në New York.“, shtoi Mustafai.
Çifti i bashkëshortëve thonë se vazhdimisht flasin në gjuhën shqipe, ndërsa malli për vendin e tyre i shoqëron gjithmonë.
“Na mungon të dhemb shpirt për vendin tënd, nuk ka fjalë qe e shpjegon. Zemra që kemi ne shqiptaret kurrkund ne bote nuk gjendet.”, thotë Sibia.
Është hera e dytë që vizitojnë Shqipërinë pas më shumë se dy dekadash. Sibia e ka ende të freskët emocionin e përjetuar ku kaloi kufirin e Malit të Zi, për herë të parë pas rënies së diktaturës komuniste.
“Hera e parë ka qenë para 20 vjetëve, kur kemi kaluar kufirin e Malësisë na u rrënqeth trupi. Është vendi jonë, gjuha jonë. Ne kemi qenë të ndarë për komunizmin. Unë i kam gjyshërit dhe stërgjyshërit nga Shkodra.”
Sibia dhe Mustafai thonë se ndjenjën e patriotizmit e kanë përcjelle edhe te katër fëmijët e tyre, të cilëve janë kujdesur t’ju mësojnë gjuhën shqipe.
Përveç emocioneve të festës, nga Tirana nuk do të largohen pa provuar gatimet shqiptare.
“Tavën e kosit dua ta provoj patjetër. Byrek me spinaq.”/abcnews.al