Çmimet për kompozitorët e rinj, shpallen tre fituesit e konkursit “Çesk Zadeja”

Konkursi për Kompozitorët e Rinj “Çesk Zadeja”, i cili u zhvillua në nderim të ikonës shqiptare të muzikës, kompozitorit Çesk Zadeja, me rastin e 95- vjetorit të lindjes dhe 25- vjetorit të ndarjes nga jeta, por edhe në mbështetje të krijuesve të rinj, u përmbyll me ndarjen e çmimeve për veprat që ishin në konkurim.
Në këtë nismë të Ministrisë së Kulturës, konkuruan gjithsej 7 artistë me kompozimin e tyre të parë artistik, por vetëm 3 prej tyre mundën që të vlerësohen.
Çmimi e parë shkoi për Serxhio Beqon, i dyti për Kris Sopiqotin, ndërsa çmimi i tretë për Jetmir Zaganjorin.
Konkursi i kompozicionit “Çesk Zadeja”, synon evidentimin dhe mbështetjen e kompozitorëve të rinj, duke qenë se vitet e fundit vihet re një mungesë e dukshme e përzgjedhjes së kësaj dege mësimore.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e pranishme në këtë event, u shpreh se kjo nismë do të kthehet në një traditë, për të mbështetur artistët e rinj.
/rtsh.al/