E Martë, 3 Nëntor 2026

Çmimet referencë për hotelet, dorëzohet në Kuvend projektligji, qeveria do të caktojë numrin e dhomave

Pas paralajmërimit që kryeministri Edi Rama dha vitin e shkuar, Ministria e Turizmit ka dorëzuar në Kuvend projektligjin që detyron njësitë e akomodimit t’i nënshtrohen referencës.

Ministri i Turizmit, në bashkëpunim me atë të Financave, do të përcaktojë një numër dhomash të shfrytëzueshme për strukturat akomoduese për periudha të ndryshme, për të marrë më pas prej tyre detyrimin tatimor.

Për pasojë, një sipërmarrje turistike në një muaj të caktuar mund të deklarojë edhe se nuk kishte asnjë dhomë të rezervuar, por ka detyrim të paguajë nivelin minimal që përcakton qeveria.

Përmes këtyre ndryshimeve ligjore, qeveria synon të luftojë nëndeklarimin e dhomave të rezervuara nga ana e biznesit, një fenomen që sipas kryeministrit Rama doli në pah veçanërisht gjatë sezonit të shkuar turistik, kur nga njëra anë turistët ankoheshin se në një hotel të caktuar nuk gjenin dot dhoma dhe nga ana tjetër biznesi deklaronte se kishte vetëm 70% të dhomave të zëna.

Projektligji i ri detyron njësitë akomoduese edhe të regjistrojnë elektronikisht të gjithë klientët ose të kundërt, gjobiten me 150 mijë lekë. /vizionplus.tv

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›