E Hënë, 2 Nëntor 2026

Çmimi “At Zef Pllumi” për vitin 2025 – “Fan Noli, Rebeli” i Ilir Ikonomit shpallet botimi fitues

Është organizuar në Lezhë edicioni i përvitshëm çmimi “At Zef Pllumi”. Këtë vit, ai ju kushtua zhanrit të memorialistikës.

Fitues u shpall libri “Fan Noli, Rebeli” i autorit dhe studiuesit Ilir Ikonomi.

Juria profesionale përzgjodhi veprën mes 25 botimesh të fundit, duke e vlerësuar për qasjen origjinale historike dhe hulumtimin e thelluar mbi një nga figurat më komplekse të historisë shqiptare, Fan Nolin.

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimit, Ilir Ikonomi e cilësoi  këtë çmim një përkujtim të fuqishëm për detyrën që kanë shkrimtarët e studiuesit, të ruajnë kujtesën dhe të vërtetën historike.

“Vetëm titulli ka një kuptim shumë të madh, shumë simbolik. Shumë njerëz ikin nga kjo botë pa bërë asgjë, pa lënë asgjë pas. Është shumë e rëndësishme që ku brez të dijë se çfarë ka ndodhur në këtë vend”, tha Ikonomi.

Ndërkohë, kreu i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, theksoi se “ky çmim është një mënyrë për të nderuar dhe mbajtur të gjallë trashëgiminë e At Zef Pllumit“, ndërsa shkrimtari Rudolf Marku tha se kujtesa është koka e çdo kulture të gjallë.

“Kujtesa është thelbi më i madh i artit që krijon njerëzimi. Pa kujtesë nuk ka asgjë”, shprehet shkrimtari Marku.

Me një punë kërkimore të gjatë në arkiva shqiptare, europiane dhe amerikane, Ikonomi sjell të panjohura mbi përfshirjen e Nolit në politikën e brendshme, rolin diplomatik në arenën ndërkombëtare dhe përpjekjen e tij për të ndryshuar Shqipërinë.

Ky botim përbën një kontribut të çmuar për historiografinë shqiptare, duke sjellë jo vetëm një analizë të plotë të një periudhe të rëndësishme, por edhe duke ngjallur një reflektim të ri mbi identitetin, idealet dhe sfidat me të cilat është përballur shtetformimi shqiptar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›