E Martë, 3 Nëntor 2026

Çmimi i BE për të drejtat e njeriut

 
Parlamenti Evropian të martën dorëzoi çmimin e lartë të BE për të drejtat e njeriut, që më herët iu nda Mahsa Aminit dhe Lëvizjes iraniane “Gra, Jetë, Liri”. Kjo lëvizje u formua një vit më parë, pas vdekjes së 22-vjeçares në paraburgim në Teheran, ku dyshohet se u keqtrajtua nga Policia e Moralit. 

Çmimi Sakharov iu dorëzua dy aktivisteve iraniane për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe avokatit të 22-vjeçares. Familja e Mahsa Aminit nuk mori pjesë në ceremoninë e zhvilluar në Strasburg, pasi autoritetet iraniane i bllokuan daljen nga vendi, duke u sekuestruar pasaportat në aeroportin e Teheranit. 

22-vjeçarja iraniane ndërroi jetë  më 16 shtator të një viti më parë, ndërsa mbahej nga policia e Moralit e Iranit me pretendimin se kishte shkelur kodin e veshjes për gratë. Vdekja e saj në paraburgimin iranian shkaktoi protesta masive mbarëkombëtare. 

Çmimi Sakharov  është krijuar në vitin 1980 për të nderuar individët dhe organizatat që i promovojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Ai përfshin një shumë prej 50 mijë eurosh.

Gazetare Vjollca Zharri

/ rtsh.al /

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›