Çmimi i Përkthimit Pashko Gjeçi, një nismë e re kushtuar përhapjes së letërsisë italiane në gjuhën shqipe

Instituti Italian i Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit kanë hapur thirrjen për projektin “Çmimi i Përkthimit”, i cili do të titullohet edhe si “Çmimi Pashko Gjeçi” në nder të punës së tij të përkthimit nga gjuha italiane në gjuhën shqipe.
Ky çmim është një nismë e re kushtuar përhapjes së letërsisë italiane në gjuhën shqipe dhe vlerësimit të rolit të rëndësishëm të përkthyesve letrarë në Shqipëri dhe Kosovë.
“Është një projekt i cili synon të mbështesë përkthimin e veprave nga letërsia italiane në gjuhën shqipe. Bashkë me Institutin Italian të Kulturës, ne çdo vit do të mbështesim dy vepra nga kjo letërsi e madhe – një letërsi dhe kulturë e cila ka dominuar dhe ka pasur një rol të rëndësishëm në emancipimin, por edhe në formimin e kulturës shqiptare,” tha Alda Bardhyli, drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit.
“Kjo nismë jo vetëm që përhap letërsinë italiane në botën shqipfolëse, por krijon edhe një platformë thelbësore për të mbështetur dhe vlerësuar punën e përkthyesve të talentuar. Duke ia dedikuar çmimin Pashko Gjecit, i bëjmë homazh një figure të nivelit të lartë të letërsisë dhe kulturës shqiptare, i cili me përkthimin e Dantes u bë pishtar i përsosmërisë ndërkulturore,” u shpreh Alessandro Ruggera, drejtor i Institutit Italian të Kulturës.
Çmimi do t’u jepet dy përkthyesve të gjuhës shqipe dhe do të mbështesë përkthimin dhe botimin e veprave italiane të pabotuara ende në gjuhën shqipe.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/