Çmimi i naftës, Gjokutaj tregon nëse do të ketë rritje në ditët në vijim

Në vetëm tre javë, çmimi i naftës në vend është rritur me 39 lekë për litër, ndërsa vetëm në dy ditët e fundit ka regjistruar rritje shtesë prej 14 lekësh, duke shkuar në pika të veçanta mbi 214 lekë për litër.
Sipas ekspertit të ekonomisë, Eduart Gjokutaj, rritja është pjesërisht e justifikuar nga faktorët globalë, si luhatjet në bursat ndërkombëtare dhe konfliktet.
Megjithatë, Gjokutaj në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Roland Zilin, tha se ritmi dhe niveli i rritjes në tregun vendas shpesh tejkalon atë që mund të shpjegohet vetëm nga tregu global.
I pyetur mga Zili nëse konflikti ndërkombëtar do të ndikojë në çmimet në ditët e ardhshme, eksperti thekson se efektet janë të lidhura kryesisht me bursat.
Gjokutaj kritikon gjithashtu mungesën e transparencës në treg dhe efektivitetin e Bordit të Transparencës, duke theksuar se përvoja e vitit 2022 tregoi kufizime dhe marrëveshje jo të qarta me operatorët.
Intervista e plotë:
A është e justifikuar rritja e çmimit të naftës në vendin tonë me këtë ritëm?
Eduart Gjokutaj: Është pjesërisht e justifikuar nga faktorët ndërkombëtarë globalë, si luhatjet e bursave apo edhe konfliktet. Megjithatë, ritmi dhe niveli i rritjes në tregun vendas shpesh ka tejkaluar atë që mund të shpjegohet vetëm nga faktorët globalë. Kjo lidhet me strukturën fiskale lokale si TVSH, taksat kombëtare dhe lokale, por edhe me elementët e tregut tonë, si përqendrimi i operatorëve, luhatjet e furnizimit dhe mungesa e instrumenteve për stabilizimin e çmimeve. Në këtë kontekst, spekulimi dhe mungesa e rezervave të sigurisë shtojnë presionin mbi çmimet, ndaj jo e gjithë rritja është e justifikuar nga tregu global.
Në vetëm tri javë kemi një rritje prej 39 lekësh (të reja) dhe vetëm në dy ditët e fundit me 14 lekë. Në pika të veçanta çmimi ka shkuar mbi 214 lekë për litër. Si e parashikoni çmimin në ditët në vijim? A do të rritet për shkak të konfliktit?
Eduart Gjokutaj: Natyrisht që konfliktet ndikojnë direkt në rritjen e çmimeve në bursa. Deri më sot është paralajmëruar se konflikti nuk do të zgjasë, gjë që ka bërë që bursat të kenë luhatje, por pa pasqyruar një rritje të menjëhershme në Shqipëri. Ajo që duhet të bëjmë tashmë është fokusimi te faktorët e brendshëm. Duhen ngritur mekanizma funksionalë monitorimi, ku kam parasysh Tatimet, Doganat dhe inspektoratet përkatëse. Nga ana tjetër, duhen përgatitur skenarë që në rast përshkallëzimi të gjenden mënyra për të amortizuar çmimin, qoftë përmes ndërhyrjeve fiskale, subvencioneve apo politikave të komunikimit me tregun.
Qeveria thotë se për momentin mjafton monitorimi i tregut. Është ky një qëndrim i drejtë apo mendoni se duhet ngritur Bordi i Transparencës?
Eduart Gjokutaj: Një task-forcë monitoruese është hapi i duhur, por nuk ka funksion më shumë se aq. Transparenca ende mungon, dhe kjo do të shërbente për uljen e presioneve spekulative. Eksperienca e Bordit të Transparencës në vitin 2022 tregoi kufizime, ai nuk arriti transparencën e pritur dhe shteti de fakto bëri një marrëveshje kolegjale me operatorët e tregut. Nëse e krahasojmë me bordet në Kosovë apo Greqi, ato janë më efektive sepse i adresojnë më mirë problemet e informalitetit dhe konkurrencës. Pa zgjidhur problemet e brendshme të konkurrencës, bordi nuk ka efekt.
Ditët e fundit po diskutohet edhe për taksën e qarkullimit, e cila mund të ulet ose rishikohet përkohësisht, siç po ndodh në Itali. Pse besoni se duhet bërë kjo dhe pse qeveria nuk po e ndërmerr këtë hap?
Eduart Gjokutaj: Italia ka një mekanizëm për akcizën që aktivizohet pothuajse automatikisht kur çmimi kalon një prag të caktuar. Kur flasim për Shqipërinë, barra fiskale është në nivele shumë të larta, gati sa gjysma e çmimit final. Kjo duhet konceptuar jo thjesht si një taksë e vetme, por si një barrë fiskale e drejtë që nuk duhet të prekë vetëm karburantin, por segmente të ndryshme të qarkullimit. Megjithatë, nuk mund të bëjmë krahasime të drejtpërdrejta me vendet e tjera, pasi secili ka specifika që i analizon sipas kontekstit ekonomik dhe social.
/vizionplus.tv