Çupi tregon bisedën me Berishën disa vite më parë: Saliu i besoi Lulit, por e kishte frikë. Ishte një mik që ra viktimë

Analisti Frrok Çupi ka treguar në emisionin “Real Story” një bisedë që ka bërë në kafe me Sali Berishën disa vite më parë.
Ai tha se Berisha i besoi Lulzim Bashës, por kishte frikë nga ligësia e tij. Sakaq, Çupi theksoi se në këtë rast Berisha ishte një mik që ra viktimë.
“Kjo ndodh për disa arsye, sepse PD në sjelljen e saj dhe në atë çfarë kanë bërë liderët e PD, nga i madhi te i vogli, ata kanë hije shumë të rëndë dhe kanë lënë hije pas. Do të ishte naivitet shumë i madh të thuash që Lulzim Basha nuk është më Sali Berisha. Është marrëzi. Do të thotë të jesh fëmijë nga mendja. Sepse ai e krijoi vetë, e mori nga e mori dhe kjo është një histori e tërë.
Vonë pas zgjedhjeve të 2017, unë kam pirë një kafe me Saliun dhe kemi folur si miq dhe kemi folur për Lulin. Saliu e ka çmuar në sy të njerëzve, të paktën kur ai mendonte që kur ty mund të ndikonte publiku dhe unë isha një prej atyre. Edhe e ka çmuar deri në ekstremë, deri në fazën kur më tha ‘Dëgjo, nga e mira e tij, nga guximi i tij, unë e kam frikë Lulin’. Ai mu duk dhe si viktimë, si një mik që ka rënë viktimë. Ai kishte gjetur një Lul, nga i cili kishte frikë ky.
Mendoj që në ato që shpjegoi e kishte frikë për nga ligësia. Unë po them se çfarë më shpjegoi. Iu mbush mendja për të ndërtuar Rrugën e Kombit dhe vajti te sheikët në Arabinë Saudite dhe atje ai iu mbiu atyre atje. Edhe i thash, ‘po lëre mo Luli, do e shtyjmë disa kohë’. Edhe më tha ‘o plotësoj atë o s’ka’. Ajo këmbëngulja e tij për t’i shkuar mendjes së tij deri në fund, siç i thotë truri, mua më frikësoi”, u shpreh analisti.