Curri dhe Bylykbashi shënojnë në pranitë trajnerit Han
Dy lojtarët shqiptarë kanë realizuar nga një 11-metërsh. Pas ndeshjes kuqezinjtë darkojnë me trajnerin holandez
Një ditë e veçantë ka qenë dje për futbollistët shqiptarë që luajnë në kampionatin ukrainas. Përballja Vorskla-Krivbas është ndjekur nga trajneri i kombëtares, Ari Han, dhe kuqezinjtë e kanë përligjur më së miri këtë interesim, duke qenë përcaktues. Debatik Curri dhe Dorian Bylykbashi shënuan të dy nga pika e bardhë e 11-metërshit, por goli i të parit ishte më i rëndësishëm, pasi i dha fitoren 2-1 Vorsklës. Bylykbashi dhe Bulku për Krivbasin ishin ndër lojtarët më të mirë në fushë, ndërsa nga krahu i vendësve dallonte Dallku me Currin, gjithnjë të rrezikshëm për mbrojtjen e Krivbasit, që dje i mungonte Henri Ndreka i dëmtuar. Në formë të mirë u shfaq edhe portieri Isli Hidi, ndërsa në minutën e fundit sulmuesi kosovar Ahmed Jonuzi përfitoi 11-metërsh e fitores, që e ktheu në gol Curri. Përtej ndeshjes, ajo që vlen për t'u përmendur është se trajneri kuqezi Ari Han, ngeli mjaft i kënaqur nga loja e shqiptarëve, të cilët janë vendimtarë për skuadrat e tyre.
"Jam shumë i kënaqur. Nuk dua të bëj asnjë dallim, sepse të gjithë më pëlqyet. Tani dua që të ruani këtë formë dhe ta tregoni veten në grumbullimin që do të zhvillojmë më 21 maj në Gjermani." Kështu u ka thënë futbollistëve holandezi Ari Han, në një bisedë miqësore për gati më shumë se një orë. Menjëherë pas ndeshjes, Dallku, Curri, Jonuzi dhe Grizha të Vorsklës, ndërsa nga ana tjetër Bylykbashi, Bulku, Hidi dhe Ndreka të Krivbasit, të shoqëruar nga trajneri Ari Han dhe ndihmësi i tij, Jakob De Jong, darkuan në një nga restorantet luksoze të Polltavës.
Darka paguhet nga Curri dhe Dallku
Si fitues të ndeshjes, dy lojtarët e kombëtares që luajnë me Vorsklën, Armend Dallku dhe Debatik Curri, paguan darkën me trajnerin e kombëtares. "Kishim vënë bast që para para ndeshjes, që kush fiton do të paguajë darkën. Megjithatë, mendoj se ia falëm golin në fund Currit, sepse barazimi duhej të ishte rezultati më i drejtë,"- tregon në linjë telefonike për "Sportin shqiptar" Dorian Bylykbashi, një nga lojtarët më të mirë të Krivbasit.
Bylykbashi: Ari Han na përgëzoi për lojën
Fantazisti që ka shkëlqyer në këtë sezon, tregon edhe për bisedën me holandezin e kombëtares. Pak ditë para, ndeshjes ai kishte deklaruar për gazetën se do ta dëshironte shumë një gol në sytë e Hanit. "Ishte një njeri mjaft i lirshëm dhe ia kaluam shumë mirë. Folëm në përgjithësi me trajnerin dhe ai na shpjegoi programin që ka në vazhdimësi. Na pyeti për gjithçka dhe ajo që ka më shumë rëndësi, është se kishte ngelur i kënaqur nga loja jonë. Personalisht më përgëzoi për veprimet e bukura teknike që bëra gjatë ndeshjes, teksa jo vetëm unë, por të gjithë ishim në një formë të mirë. Dëshira për gol m'u realizua dhe kjo është diçka e bukur. Tashmë rëndësi ka që të vazhdojmë kështu, megjithëse sot (dje) u mërzitëm pak për humbjen, sepse nuk e meritonim, për mënyrën sesi rrodhi loja." Batutat midis shqiptarëve nuk munguan as në fushë, ndërkohë që Ndreka nga tribuna i dëmtuar ishte në rolin e tifozit ultras të Krivbasit.
Trajneri i Krivbasit vlerëson shqiptarët
I pyetur pas ndeshjes për lojtarët shqiptarë që luajnë në të dy ekipet, trajneri i Krivbasit, Oleg Taran, u shpreh: "Unë besoj se Armend Dallku dhe Dorian Bylykbashi janë futbollistë shumë të mirë. Kam respekt për ta, sepse kanë lënë gjurmë. Megjithatë, për ne Bylykbashi është një nga pesë lojtarët më të mirë të Ukrainës. Jo vetëm ai, por edhe Bulku me Hidin janë futbollistë profesionistë, të cilët janë determinantë për skuadrën."
Jorgis Memo