DASH reagon për arrestimin e Metës: Mbështesim përpjekjet e SPAK për të goditur korrupsionin

Pas arrestimit të ish-presidentit Ilir Meta ka ardhur edhe reagimi i Departamentit amerikan të Shtetit. Një zëdhënës i DASH u shpreh për zërin e Amerikës se Uashingtoni mbështet përpjekjet e SPAK-ut kundër korrupsionit të nivelit të lartë.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin përparimin e Shqipërisë drejt sundimit të ligjit, përfshirë përpjekjet e SPAK-ut për të ndjekur penalisht korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar, në përputhje me ligjin”, tha një zëdhënës i DASH.
Ish-Presidenti i Republikës dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u arrestua të hënën me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
SPAK detajoi të hënën në një njoftim publik se Ilir Meta dhe ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, në bashkëpunim mes tyre dhe me funksionarë të tjerë publikë, dyshohet se kanë kryer korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurish në një seri episodesh, që nisin nga afro 15 vjet më pare. /vizionplus.tv