E Martë, 3 Nëntor 2026

DITA 25/ Qytetarët sfidojnë shiun para Kryeministrisë, paralajmërojnë përshkallëzim të aksionit

Pavarësisht reshjeve të shiut që kanë përfshirë kryeqytetin, qytetarët janë mbledhur sërish këtë të martë përpara Kryeministrisë, duke shënuar ditën e 25-të radhazi të protestës kundër qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Me pankarta në duar dhe thirrje kundër qeverisë, protestuesit kanë përsëritur kërkesën e tyre kryesore për dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe largimin e qeverisë. Ata kanë bërë gjithashtu thirrje ndaj SPAK-ut që të veprojë dhe të vendosë drejtësi për çështjet që, sipas tyre, kanë dëmtuar interesin publik.

Gjatë tubimit, një prej protestuesve lexoi sërish kërkesat e revoltës qytetare, ndërsa paralajmëroi se lëvizja mund të hyjë në një fazë të re aksioni, deri në bllokimin e institucioneve shtetërore nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.

“Shqiptarët kanë protestuar për 25 ditë me radhë dhe nuk do të tërhiqen nga kërkesa për dorëheqjen e qeverisë. Nëse nuk ka reagim, protesta do të përshkallëzohet”, u shpreh ai para të pranishmëve.

Protesta para Kryeministrisë vjen pas më shumë se tre javësh mobilizim të pandërprerë në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.a.b

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›