E Diel, 1 Nëntor 2026

DIVJAKE/ Këshilli Bashkiak voton kundër Lushnjes, vendosen dëgjesa në 5 njësitë administrative

DIVJAKE/ Këshilli Bashkiak voton kundër Lushnjes, vendosen dëgjesa në 5 njësitë administrative

Këshilli Bashkiak i Divjakës është shprehur njëzëri kundër shkrirjes së bashkisë dhe bashkimit të saj me Lushnjën, në kuadër të propozimeve për reformën e re territoriale.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme, këshilltarët kundërshtuan projektin e mazhorancës socialiste dhe kërkuan që Divjaka të vijojë të funksionojë si bashki më vete.

Këshilli vendosi gjithashtu ngritjen e një grupi pune prej shtatë anëtarësh, i cili do të organizojë dëgjesa me banorët e pesë njësive administrative: Divjakë, Tërbuf, Grabjan, Gradishtë dhe Remas. Përfundimet e këtyre konsultimeve do t’i përcillen Kuvendit.

Kryetari i Bashkisë Divjakë, Josif Gorrea, u shpreh gjithashtu kundër shkrirjes, duke deklaruar se nuk ishte informuar paraprakisht për këtë propozim. Sipas tij, përfaqësues të Partisë Socialiste i kishin komunikuar më herët se në Qarkun e Fierit nuk do të kishte ndryshime territoriale.

Gorrea vuri në dyshim edhe shifrat e paraqitura nga bashkëkryetari socialist i komisionit për reformën territoriale, Arbjan Mazniku, ndërsa kërkoi të sqarohet se çfarë përfitimesh do të kenë qytetarët nga bashkimi i bashkive.

Këshilltarët e Divjakës argumentuan se bashkimi me Lushnjën do të dëmtonte përfaqësimin dhe interesat e komunitetit, duke kërkuar që çdo ndryshim të bëhet vetëm pas konsultimit me banorët.

Vendimi i Këshillit Bashkiak të Divjakës vjen pas qëndrimeve të ngjashme të disa bashkive të tjera, ku këshilltarë të mazhorancës dhe opozitës janë shprehur kundër ndryshimeve të propozuara në hartën territoriale.a.b

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›