DPT: Të ardhurat nga pagat dhe kontributet, rritje domethënëse në maj dhe 5-mujorin 2025

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) bëri të ditur sot se po vijon performanca e mirë e të ardhurave nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale (TAP) dhe kontributet e Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore. Kjo rritje i atribuohet aksionit të fortë kundër informalitetit të pagave, thirrjeve të vazhdueshme për vetëpërmbushje, si dhe reflektimit pozitiv të bizneseve.
“Falënderojmë bizneset, që vazhdojnë të rrisin pagat në funksion të pensioneve dinjitoze,” theksoi DPT në njoftimin e saj për shtyp.
Rritje e theksuar në maj 2025
Sipas DPT-së, shifrat për muajin maj 2025 janë veçanërisht pozitive:
- Kontributet u rritën me 8.2% ndaj planit dhe me 12% ndaj faktit të periudhës së mëparshme.
- Tatimi mbi të Ardhurat Personale (TAP) regjistroi një rritje prej 17.2% ndaj planit dhe 17.83% ndaj faktit të periudhës së mëparshme.
Performanca për 5-mujorin 2025
Trendi pozitiv është ruajtur edhe në pesëmujorin e parë të vitit 2025:
- Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore janë rritur me 3 miliardë lekë më shumë se plani, ose 4.52% më shumë.
- Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar (faktin e 2024), rritja është 7.7 miliardë lekë më shumë, ose 12.1% më shumë.
- TAP shënoi 4.5 miliardë lekë më shumë se plani për 5-mujorin 2025, që përfaqëson një rritje prej 15.33%.
- Krahasuar me faktin e vitit 2024, rritja e TAP është 7 miliardë lekë, ose 26.26% më shumë.
Ky trend pozitiv i të ardhurave, sipas DPT-së, “është tregues i qartë i performancës së mirë fiskale dhe administrimit efektiv të sistemit tatimor.”
/rtsh.al/