Daçiç: Tani për tani, ska bisedime
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë se, për shkak të mungesës së një marrëveshjeje të pranueshme me Kosovën, nuk do të ketë vazhdim të bisedimeve me Prishtinën.
Siç është situata tani s`do ketë bisedime, sepse nuk kemi ardhur deri te momenti kur duhet të vazhdojmë bisedimet. Në Bruksel do të shkohej ose për vazhdimin e bisedimeve ose për nënshkrimin e marrëveshjes, ka thënë Daçiç, transmetojnë mediat serbe.
Ai ka thënë se 16 prilli, kur shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, i dorëzon raportin Komisionit Evropian, nuk është dita e fundit për integrimin e Serbisë.
Nuk do të jetë 16 prilli Dita D dhe nuk do të shuhen të gjitha ëndrrat tona për BE-në dhe Kosovën. Serbia do të agojë edhe në 17 prill, ka thënë Daçiç.
Ai ka thënë se, tani për tani, nuk ka asgjë të re në dialogun e Beogradit me Prishtinën dhe se Serbia kërkon që propozimi i ofruar për marrëveshje, të përmirësohet.
Autoritetet serbe kanë thënë se propozimi i Brukselit nuk parashikon përgjegjësi ekzekutive për asociacionin e komunave serbe në Kosovë.
Prishtina, në anën tjetër, ka thënë se nuk do të lejojë kompetenca të tilla për këtë mekanizëm.
Mungesa e marrëveshjes, Serbisë mund t’i kushtojë me mosmarrjen e datës për anëtarësim në BE.