Dade: Diplomacia shqiptare është kthyer një seksion i PD-së dhe Berishës
Ish-ministrja e Jashtme socialiste dhe aktualisht deputete, Arta Dade, ka thënë se aktualisht Ministria e Jashtme dhe diplomacia shqiptare, janë kthyer në një seksion të PD-së dhe Sali Berishës.
Ministria e Jashtme e Republikës së Shqipërisë është shndërruar në seksion të Partisë Demokratike, në shërbim të Sali Berishës. Që prej 2005-s, kur Sali Berisha mori pushtetin pa pasur ai vetë shumicën e mjaftueshme, shtriu kthetrat për të emëruar ambasadorë në shtetet e konsideruara partnere strategjike të Shqipërisë, militantë jo profesionistë në çështjet e politikës së jashtme për ti patur nën komandë e për të punuar për interesat e tij ekonomike e politike, në shkelje të hapur me Kushtetutën e Ligjin për Shërbimin e Jashtëm.
Ministri i tij i Jashtëm bëri të njëjtën gjë në nivelet e tjera të shërbimit diplomatik e kjo ishte edhe më e rëndë sepse Ligji për Shërbimin e Jashtëm nuk parasheh në asnjë rast emërimë jashtë fushës së diplomacisë për të gjitha nivelet e pozicionet në karrierën diplomatike dhe fare qartë parasheh mënyrën e rekrutimit në shërbimin e jashtëm, i cili nuk mund ti shpëtonte politizimit e militantizimit sikurse nuk shpëtoi as administrata publike, ka thënë Dade për Dita.
Vocrrakët në shërbimin aktual diplomatik të Shqipërisë kanë humbur pjesë të personalitetit e janë shndërruar në instrumente të verbra të shefave të tyre e pikërisht për këtë edhe janë emëruar. Është e vetmja rrugë që ata të zgjasin punësimin në përfaqësitë e Republikës së Shqipërisë jashtë çdo kriteri ligjor sikurse edhe janë emëruar dhe shëtisin nga një ambasadë në tjetrën mbasi përfundojnë një term kohor shërbimi duke refuzuar të kthehen në MPJ në Tiranë, në atdhe sikurse e saktëson ligji e të qëndrojnë jo më pak se dy vjet para se të marrin emërim tjetër, vijon më tej ajo./b.l