Dajti: Po më trajtojnë si kafshë
TIRANË - Gjykata e Shkallës së Parë e Krimeve të Rënda, e vlerësoi të ligjshëm arrestin në flagrancë të shtetasit Dritan Dajti dhe caktoi ndaj tij masën e sigurisë "arrest me burg" deri në përfundim të hetimeve, duke ngritur ndaj tij akuzën e vrasjes së katër agjentëve të policisë dhe Ledion Marës.
Masa e sigurisë ishte vendosur të jepej në Spitalin e Burgut, ku dje në mëngjes ishin bërë gati të shkonin dy prokurorët, avokati mbrojtës dhe gjyqtarja.
Por, në momentin e fundit, ka qenë vetë Dajti, i cili ka kërkuar të çohet në gjykatë. Ai ka mbërritur aty i shtrirë në barelën e urgjencës, nën shoqërimin e një infermiereje të Spitalit të Burgut, e cila gjatë dy orëve të qëndrimit të Dajtit në gjykatë, i qëndroi te koka, duke i ofruar ndihmën që ai kërkonte.
Dajti ka qëndruar pa lëvizur në barelën e urgjencës, i lidhur me pranga poshtë çarçafit të bardhë, të hedhur sipër trupit. Në fjalët e tij para gjyqtares së masave, Marsela Balili, ai u është shmangur pyetjeve të prokurorisë për ngjarjen e së premtes, ku mbetën të vrarë katër agjentët e policisë dhe njëri nga tre shoqëruesit e tij, Ledion Mara.
Ai nuk ngurroi të drejtojë akuza ndaj policisë dhe personelit të Spitalit të Burgut. Sipas tij, policia, pas sekuestrimit, i ka vjedhur një shumë të konsiderueshme parash që kishte me vete, përveç 4 mijë e 500 eurove që figurojnë në procesverbalin e sekuestrimit.
"Jam keqtrajtuar që nga arrestimi e deri tani që po flasim.
Ata më kanë goditur me shkelma e grushte, edhe pse isha i plagosur. Kam tre plumba në trup, një në krah tek bërryli, një në kraharor, që më ka prek mushkërinë dhe një në këmbë,"- i tha Dajti gjyqtares.
Më pas ka shtuar se njëri nga agjentët e policisë, në momentin e arrestimit, e ka dhunuar. "Isha i shtrirë dhe i dorëzuar dhe nga plagët më dilte gjak. Ai më qëllonte me shqelma nëpër trup.
I kam kërkuar edhe duke e sharë të më vrasë më mirë se sa të më godasë me shqelma, por, ai më qëllonte, duke më thënë se "nuk do të vrasim, se duhet të vuash", - ka thënë i akuzuari. (kjo pjesë e dëshmisë së tij përputhet me dëshminë e ditës së masakrës, prej njërit nga dëshmitarët plazhistë, i cili tha se "kishte parë dikë që qëllonte me shkelma një të gjakosur të shtrirë përtokë").
Pas ankesës ndaj efektivëve të policisë, i dënuari me 25 vjet burg ka filluar ankesat në adresë të personelit të Spitalit të Burgut, duke i akuzuar ata për trajtim çnjerëzor. "Në Spital të Burgut më kanë dërguar që të vdes.
Aty kam kërkuar nga personeli i burgut që të më trajtojnë si njeri dhe jo si kafshë. Më mbajnë gjithë kohës të lidhur pas krevatit. Edhe në barelën që ma kanë sjell këtu, siç e shihni, jam i lidhur,"- tha Dajti.
Prokuroria u shpreh edhe mbi pretendimet e të arrestuarit. Dy përfaqësuesit e saj në sallë e ftuan të arrestuarin Dajti të deponojë prova dhe të bëjë kallëzim penal në prokurorinë e kryeqytetit për të gjitha pretendimet.
Pas kësaj fjale ishin vetë prokurorët që kërkuan që Dajti të izolohet në dhomat e paraburgimit me masën e sigurisë "arrest me burg", deri në përfundim të hetimeve, kërkesë kjo që u pranua nga gjyqtarja Marsela Balili.