Dallëndyshe Bici në krye të Kadastrës, Rama: Të mbyllen sportelet, bashkëpunim me AKSHI-n për dixhitalizimin e plotë

Dallëndyshe Bici ka marrë sot zyrtarisht detyrën në krye të Kadastrës, ndërsa stafeta iu la nga Artan Lame. Gjatë prezantimit të saj kryeministri Edi Rama i la një sërë detyrash, që sipas tij, do të sjellin zgjidhje të disa prej problematikave më të mëdha me të cilat është përballur Kadastra.
Rama tha se duhet mbyllur përfundimisht kontakti i drejtpërdrejtë mes qytetarëve dhe Kadastrës dhe se procesi i marrjes dhe regjistrimit të pronës do të bëhen online.
Kjo do të thotë së nuk do të ketë më sportele, shtoi Rama, dhe se për dixhitalizimin e plotë të Kadastrës do të bashkëpunohet me AKSHI-n.
“Sot kemi një bazë nga e cila mund të shkojmë me shpejtësi më tutje që është teknologjia dhe proceset teknologjike të nisura edhe nga Kadastra na kanë dhënë mundësinë të shërbejmë për qytetarët pa radhë dhe që qytetarët ta kërkojnë shërbimin nga Kadastra online. Por jemi në kushtet kur cikli mbetet i hapur, pasi ndërkohë pjesa e përgjigjeve jepet ende me letër dhe kërkon ende postën dhe të tjera komponentë në mes që janë pjesë e problemit dhe jo e zgjidhjes përfundimtare. Në këtë fazë na duhen zgjidhje radikale për të mbyllur procesin.
Që do të thotë është koha për t’i mbyllur përfundimisht të gjitha rrugët e kontakteve të drejtpërdrejta mes qytetarëve dhe Kadastrës. Kadastra është banka më e rëndësishëm e vendit, është banka e pasurive të paluajtshme. Jo vetëm duhen mbyllur të gjitha sportelet por duhen mbyllur menjëherë të gjitha zonat ndarëse, nuk do funksionojnë më me zona apo çifliqe. Duhet një bashkëpunim i ngushtë me Kadastrës dhe AKSHI-t që procesi të marrë një tjetër vrull dhe të hyjë në një tjetër fazë”, tha Rama
Për dixhitalizimin e plotë të pronave dhe hartave, Rama tha se do të futen në punë edhe shërbimet satelitore përmes satelitëve “Albania 1” dhe “Albania 2”.
“Duhet futur në punë shërbimi satelitor, ku ka filluar të jap prodhimet e para dhe puna e kadastrës të marrë përfundimisht funksioni teknologjik. Problematika bazë mbetet stabiliteti i burimeve njerëzore dhe cilësia e tyre dhe natyrisht që në këtë aspekt kërkohet që kadastra të vazhdojë të blindohet për të mos lejuar influencat e jashtme se është banka më e rëndësishme e vendit”, tha Rama.
Artan Lame u emërua në krye të Agjencisë së Kadastrës, afro 4 vjet më parë, menjëherë sapo kjo agjenci u krijua, duke bashkuar ALUIZNIN me Hipotekën. Në vend të tij u emërua Dallëndyshe Bici, e cila ka mbajtur detyrën e kreut të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.
/rtsh.al/