E Diel, 1 Nëntor 2026

Darka që çoi në rrëzimin e qeverisë rumune? Dalin pamjet e ambasadores Guilfoyle me krerët e PSD, vetëm 1 javë para se daljes nga koalicioni qeverisës (VIDEO)

Pamje nga një darkë private e ambasadores amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle, me drejtues të Partisë Socialdemokrate rumune kanë rikthyer vëmendjen te kontaktet e saj përpara rrëzimit të qeverisë së Ilie Bolojan, kryeministrit të qendrës së djathtë.

Sipas G4Media, takimi u zhvillua më 31 mars në një restorant në Bukuresht, me pjesëmarrjen e kreut të PSD-së, Sorin Grindeanu, dhe ministrit të atëhershëm të Energjisë, Bogdan Ivan.

Një javë më pas, socialdemokratët vendosën të largoheshin nga koalicioni qeverisës. Më pas, më 5 maj, bashkuan votat me partinë pro-ruse të ekstremit të djathtë AUR për të rrëzuar qeverinë përmes një mocioni mosbesimi.

Publikimi i pamjeve vjen pas raportimit të Wall Street Journal, sipas të cilit Guilfoyle kishte sugjeruar, gjatë një darke zyrtare në Athinë, se SHBA-të ishin përfshirë në rrëzimin e qeverisë rumune, duke paralajmëruar se diçka të tillë mund ta bënin në çdo vend që dëshironin.

“Këtë mund t’ia bëjmë çdo vendi që duam. Mund ta bëjmë edhe këtu”, i atribuohen asaj fjalët në bisedën me ministrin grek të Energjisë. Avokati i ambasadores e ka kundërshtuar përshkrimin e kësaj bisede.

Grindeanu ka konfirmuar takimin, por ka deklaruar se diskutimet lidheshin me Korridorin Vertikal të Gazit, duke i cilësuar pretendimet e tjera “trillime”. Pamjet dokumentojnë takimin, por nuk provojnë se aty u diskutua apo u dakordësua rrëzimi i qeverisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›