Dashuri e dytë e moshës së tretë thyen rekordet

Muharrem Hoxha
Për katër javë me radhë, në skenën e teatrit Aleksandër Moisiu në Durrës është shfaqur komedia Dashuri e dytë e moshës së tretë, e regjisorit Haxhi Rama, Mjeshtër i madh i punës. Një shfaqje që ka thyer rekorde shikueshmërie. Komedia Dashuri e dytë e moshës së tretë trajton probleme sociale të kohës dhe loja e spikatur e aktorëve të mirënjohur të humorit, si Muharrem Hoxha, Aishe Stari e Roland Koça, kanë rikthyer humorin e munguar prej kohësh në skenën e teatrit Aleksandër Moisiu. Një burrë që mbetet i ve sapo ka prekur moshën e tretë vihet mes dilemash për tu martuar përsëri apo jo, duke hasur mes kundërshtisë së djalit të tij për këtë gjë, si dhe aprovimit të vajzës, e cila kërkon ta martojë babanë që të shkojë e qetë në Amerikë. Situatat e ndërlikuara që pasojnë me një sërë kandidatesh të denja për babanë që sapo ka prekur të gjashtëdhjetat janë krijuar me mjeshtëri nga regjisori Rama, ndërsa interpretimi i aktorëve është përshëndetur me duartrokitje të gjata nga spektatorët që kanë mbushur sallën e teatrit. Në rolet e tjera kanë spikatur edhe aktorët Mimoza Marjnaku, Ervin Doko, Andia Xhunga, Xheni Fama si dhe Antoneta Doka, e cila ka qenë e ftuar në këtë pjesë. Aktori i mirënjohur i humorit, Muharrem Hoxha, ka rolin kryesor në këtë komedi. Ai shprehet se jeta duhet jetuar deri në fund, pavarësisht moshës dhe vështirësive e problemeve që sjell ajo. Në lidhje me pyetjen që ngrihet se a është e drejtë një dashuri tjetër në këtë moshë, ai përgjigjet: Pse jo? Shumë qytetarë që e kanë parë shfaqjen kanë thënë: Si ka mundësi që këto gjëra që thoni në komedi, këto probleme dhe halle i kemi edhe ne? Pra, këto probleme sociale janë mjaft aktuale, prandaj edhe shfaqja fitoi simpatinë e publikut durrsak. Rrema, siç njihet pothuajse nga të gjithë, është një aktor që mban mbi supe një karrierë mbi 40-vjeçare në skenë. E ka filluar karrierën në fushën e artin që në vitin 1969, fillimisht me trupat e estradave të ndërmarrjeve dhe më pas me trupën e estradës profesioniste të qytetit të Durrësit. Janë të shumtë dhe mjaft të spikatur rolet e Muharrem Hoxhës si aktor i humorit në trupën e estradës së qytetit bregdetar, ku ka realizuar role të paharrueshme për publikun. Për merita të veçanta, aktori i humorit është nderuar me çmime e tituj, ndër të cilat Urdhri Naim Frashëri, i artë dhe argjendtë, Krenaria e qytetit të Durrësit etj. l.m