E Diel, 1 Nëntor 2026

Dasma luksoze në Bahamas dhe paratë ruse, Trump ‘thyen’ heshtjen për të birin

Presidenti amerikan Donald Trump ka dalë në mbrojtje të djalit të tij, Donald Trump Jr., pas polemikave lidhur me financimin e martesës së tij nga miliarderi rus Umar Kremlev, i afërt me Kremlinin.

Sipas një investigimi të publikuar nga media amerikane “ProPublica”, Kremlev dyshohet se ka paguar qindra mijëra dollarë për disa nga shpenzimet e ceremonisë së martesës, e cila u zhvillua më 23 maj 2026 në një ishull privat në Bahamas.

Mes shpenzimeve ishin qiraja e ishullit, që mund të kushtonte deri në 100 mijë dollarë në natë, fishekzjarret me vlerë rreth 70 mijë dollarë, si dhe shërbime logjistike nga ekipi i biznesmenit rus.

I pyetur nga një gazetar i AFP-së nëse ishte e përshtatshme që djali i tij të pranonte një dhuratë të tillë, Trump tha se, sipas dijenisë së tij, Donald Trump Jr. e kishte rimbursuar Kremlevin.

“Kur mora vesh për këtë çështje, kërkova shpjegime dhe ai më tha: ‘Jo, po e rimbursoj, baba’”, tha Trump, duke shtuar se pranimi i një dhurate të tillë ishte i ligjshëm.

Donald Trump Jr. nuk e ka mohuar se ka marrë paratë dhe e ka përshkruar Kremlevin si një mik personal.

Sipas tij, të dy janë njohur përmes interesit të përbashkët për gjuetinë dhe boksin. Edhe zyra e biznesmenit rus ka konfirmuar miqësinë mes tyre.

Lidhjet mes familjes Trump dhe Rusisë kanë qenë prej vitesh objekt debatesh dhe pikëpyetjesh. Në këtë rast, financimi i pretenduar i një pjese të martesës nga një biznesmen rus i afërt me Kremlinin ka rikthyer vëmendjen te marrëdhëniet mes familjes Trump dhe Rusisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›