David Uisner: Stabiliteti dhe lufta kundër korrupsionit, kushtet për tërheqjen e investitorëve amerikanë

“Stabilitet, parashikueshmëri dhe luftë kundër korrupsionit.”
Janë këto kushtet e kërkuara nga zëvendësambasadori amerikan në Shqipëri, David Uisner (o. Wisner) për tërheqjen e investimeve nga SHBA-ja në vendin tonë.
Sipas Uisnerit, investitorët amerikanë nuk kërkojnë trajtim të veçantë dhe as avantazhe, por një mundësi të drejtë.
“Duhet stabilitet, parashikueshmëri, luftë kundër korrupsionit, angazhimin dhe përkushtimin ndaj tij. Dhënia e një mundësie të drejtë për bizneset amerikane. Kjo është ajo që ata duan. Nuk ka nevojë për asgjë të veçantë për ne…Nuk duan të kenë avantazh, nuk duan trajtim të veçantë, por duan të dinë se do të jenë në gjendje të përdorin paratë e tyre në një mënyrë të drejtë dhe konkurruese,” tha Uisner gjatë një interviste për revistën “Monitor”.
SHBA e vlerëson tregun shqiptar të vogël në përmasa duke marrë parasysh ekonominë 24-miliardëdollarëshe të Shqipërisë, por me potencial për biznes, që duhet matur me konkurrentë të mëdhenj, si Greqia apo Italia.
“Shqiptarët janë shumë të talentuar. Ka një nivel të lartë arsimimi këtu. Janë njerëz mbresëlënës, me aftësi të mëdha gjuhësore. Një gjë që më ka magjepsur vërtet këtu është se, po, Shqipëria ishte e mbyllur për 45 vjet, por në 30 vitet e fundit, ka njerëz që kanë vizituar të gjithë botën, kanë mësuar gjëra nga jashtë, kanë sjellë ide këtu. Ka një fuqi punëtore shumë të aftë. Dhe thjesht duhet bërë më shumë për ta kultivuar këtë dhe për ta avancuar,” tha Uisner.
Grant van Kliv (o. van Cleve) kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë tha se klima e biznesit në Shqipëri shihet me optimizëm në Uashington, me gjithë të mirat dhe të këqijat që ofron vendi aktualisht.
“Mendoj se regjimi rregullator po përmirësohet. Taksat ndoshta nuk janë më të mirat në rajon, por janë ende konkurruese. Po ngjitemi edhe 4 ose 5 pikë në indeks. Ky është një lajm i mirë, diçka për t’u emocionuar.
Por ende ka shifra që tregojnë se ka sfida. Ne ende kemi informalitet në ekonomi. Një përqindje shumë e lartë operon në mënyra që nuk kontribuojnë në sistemin e taksave. Kjo e bën më të vështirë për kompanitë. Ende kemi probleme me titujt e pasurive të paluajtshme, që janë sfiduese. Ende kemi probleme me inspektimet. Të gjitha këto kanë kosto për biznesin,” u shpreh Van Kliv.
/rtsh.al/