E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debat i MKRS-së me artistët

Artistët dhe ekspertët e teatrit, në kuadër të një diskutimi të gjithanshëm publik patën mundësinë të japin vërejtjet, idetë dhe sugjerimet e tyre në lidhje me Ligjin për Teatrin. Krejt kjo duke qenë se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizoi një diskutim publik me artistët e teatrit në lidhje me amandamentimin e Ligjit për Teatër, i cili së shpejti do të vijë në një formë të re dhe do të dorëzohet për procedim dhe miratim të mëtutjeshëm në Qeverinë dhe në Kuvendin e Kosovës. Në këtë diskutim publik mori pjesë edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Valton Beqiri, i cili tha se organizimi i këtij debati publik është shprehje e interesimit të vazhdueshëm të institucionit të MKRS-së për Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe, përgjithësisht, për jetën teatrore në vendin tonë.

“Ky ligj do të rrisë hallkën e burokracisë”, tha Lirak Qelaj.

Ka dhe prej atyre të cilët nuk shohin ndryshime të mëdha në këtë ligj.

“Nuk ka ndryshime të mëdha, është bërë punë e kot, më mirë kishte qenë të punohet në amandamentimin e ligjit të vjetër, dhe procedurat për hyrjen në funksion të tij do të ishin shumë më të shpejta. Një ligj i ri do të marrë më shumë se një vit deri sa të procedohet”, tha Hazir Miftari.

Një nga çështjet më me interes, e cila kishte tërhequr vëmendjen e artistëve dhe ishte një nga pikat më të nxehta të këtij diskutimi, është ideja për themelimin e Këshillit Kombëtar të Teatrove. Hazir Miftari thotë se Këshilli Kombëtar nuk e ka vendin në këtë ligj, derisa Ekrem Kryeziu nuk e sheh si ide të keqe. Burbuqe Berisha drejtoresha e TKK-së nuk është për krijimin e Këshillit Kombëtar.

Gjatë këtij diskutimi, nga artistët u trajtua edhe çështja e ansambleve rezidente të teatrove dhe që u përkrah kjo ide. Për këtë Hazir Miftari mendon se krijimi ansamblit rezident është një ide shumë e mirë.

“Do të mund të punohej me aktorë të brendshëm, duhet të zgjidhen aktorët më të mirë. Paga nuk duhet të jetë kaq e vogël”.

Ideja e Agim Sopit është se “Teatri Kombëtar duhet patjetër të detyrohet që të ketë së paku 5 shfaqje në javë. Për këtë TKK duhet detyrimisht të ekzistoj Trupa Rezidente. Aktorët e trupës rezidente duhet të jenë të stimuluar në bazë të kategorizimit, dhe të paguhen me 20 % të pagës për secilën reprizë. Kjo do të nënkuptonte që edhe me këtë rrogë bazë 16o euro, aktorët do të mund të merrnin brenda muajit deri 6-700 euro që do të mund të jetonin nga puna e tyre”.

Ndërsa mbi këtë fakt vazhdoi debati “ nëse nuk kemi aktorë që janë së paku për dy vjet, me mundësi vazhdimi pjesë e trupës rezidente, nuk kemi bërë asgjë”, tha Ekrem Kryeziu.

Gjithashtu gjatë këtij diskutimi u trajtua edhe mënyra e financimit të teatrove, raporti i tyre me MKRS- në dhe me kuvendet komunale, si dhe çështje të tjera të organizimit dhe funksionimit të jetës teatrore në Kosovë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›