E Hënë, 2 Nëntor 2026

Debati për mandatin e Sinajt, Çuçi: Të presim Venecien dhe shkojmë në seancë

Në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku po shqyrtohet mocioni i disa deputetëve të opozitës për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit socialist Vullnet Sinaj, nënkryetari i Kuvendit, Bledi Çuçi, propozoi që të pritet opinioni i kërkuar nga Komisioni i Venecies për mënyrën se si duhet të votojnë deputetët në raste të tilla.

Tashmë Komisioni po shqyrton edhe kërkesën për opinion lidhur me mandatin e deputetes Olta Xhaçka. 

“Nuk jemi ne që e vendosim nëse jemi në kushtet që ka apo jo papajtueshmëri me mandatin. Zoti Sinaj ka bërë gjithë përpjekjet në hapësirat e tij për të shmangur konfliktin e interesit. Por këtu nuk jemi për këtë. Është Gjykata Kushtetuese që e vendos këtë gjë. Si shkon në Gjykatën Kushtetuese konstatimi për një çështje të tillë? Kjo është pyetja. Ne jemi në pritje të një opinioni të Komisionit të Venecies dhe nëse ky Komision e konstaton një paqartësi kushtetuese është detyra jonë ta sqarojmë këtë çështje.

Unë si deputet nuk detyrohem nga askush të marr një vendim të caktuar apo të votoj në një formë të caktuar. Për të zgjidhur këtë konflikt kemi kërkuar opinion nga Komisioni i Venecies. A do të shkojmë në seancë po njësoj siç kemi vepruar deri më tani apo të presim opinionin e Venecies dhe pastaj të shkojmë në seancë? Propozimi im është të presim opinionin e Komisionit të Venecies dhe pastaj të shkojmë në seancë,” deklaroi Çuçi.

Nënkryetari i Kuvendit theksoi se në bindjen e tij deputeti Sinaj nuk ka përfituar fonde publike përmes kompanise ku ai ka aksione.

Partia Demokratike e ka akuzuar deputetin socialist se ka përfituar miliona “përmes 9 kompanive të tij private”, ndërkohë që ka ushtruar dhe mandatin e deputetit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›