Dëbora zbardh Shkodrën, policia apelon për kujdes në qarkullim

Prefekti i Qarkut Shkodër njofton opinionin publik se, sipas të dhënave të siguruara nga strukturat operacionale në terren, në territorin e qarkut kanë nisur reshjet e dëborës, kryesisht në zonat malore, ndërsa në zonat e ulëta vijojnë reshjet e shiut.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër njofton se në akset rrugore me prezencë dëbore dhe ngricash është shtuar patrullimi nga shërbimet e Policisë Rrugore. Policia apelon drejtuesit e automjeteve të përdorin goma dimërore ose zinxhirë dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
Bashkia Shkodër raporton se reshjet e shiut vazhdojnë në territorin e qytetit, ndërsa në zonat malore ka reshje dëbore. Në aksin Bogë–Theth, mjetet e firmës mirëmbajtëse po kryejnë hedhjen e kripës, megjithëse disa segmente të rrugës paraqiten me ngrica. Në Qafë Thore trashësia e dëborës arrin rreth 15 cm, ndërsa qarkullimi vijon normalisht.
Bashkia Malësi e Madhe njofton se në qytetin e Koplikut trashësia e dëborës arrin rreth 3 cm.
Bashkia Fushë-Arrëz raporton reshje dëbore me intensitet të ulët dhe trashësi 5–8 cm, me rrugë të hapura dhe qarkullim normal.
Bashkia Pukë njofton reshje dëbore të lehta, me trashësi rreth 5 cm, pa situata problematike aktualisht.
Drejtoria Rajonale e Vëzhgimit Shkodër bëri me dije se në akset rrugore që mbulon nuk paraqiten probleme në qarkullim.
Prefekti i Qarkut Shkodër ndjek situatën në mënyrë të vazhdueshme dhe i bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në zonat malore, dhe të ndjekin njoftimet zyrtare të institucioneve përgjegjëse.
/vizionplus.tv