Dëborë e stuhi në Shqipëri, pezullohen disa lundrime nga Durrësi, ulen ndjeshëm temperaturat

Ulje të ndjeshme të temperaturave, reshje shiu në qytetet kryesore të vendit ndërsa zonat malore do të pushtohen nga bora.
Ky është parashikimi i kushteve atmosferike për ditën e diel sipas shërbimit meteorologjik ushtarak.
Në këto kushte, Emergjencat Civile kanë paralajmëruar qytetarët për kushtet e motit që pritet të shoqërojë vendin gjatë ditëve në vijim.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka bërë apel për strukturat vendore dhe qendrore të jenë në gatishmëri për çdo situatë dhe të marrin masa për menaxhimin e reshjeve.
Si pasojë e motit të keq lundrimet e trageteve në linjat Durrës-Bari dhe anasjelltas do të pezullohen ditën e diel.
Kapiteneria njoftoi se janë pezulluar lundrimet e dy trageteve nga Durrësi dhe dy trageteve nga Bari.
Por lundrimet në linjën Ankona-Durrës dhe anasjelltas do të vazhdojnë normalisht.
Ndërkohë që duke nisur nga kjo e shtunë veriu i vendit po përballet me vështirësi. Nga mbrëmja e të premtes, zonat e thella malore jane mbuluar nga bora.
Në fshatrat Theth, Lepushë, Vermosh, Dukagjin si dhe zonat e thella te Pukës dhe Fushë-Arrëzit trashësia e dëborës ka arritur rreth 1 metër.
Deri më tani nuk ka probleme në qarkullimin e mjeteve pasi rrugët janë të kalueshme.
Por policia bën thirrje që shoferët të përdorin gomat dimërore dhe zinxhirët. Ndëkohë në disa fshatra ka probleme me furnizmin me energji elektrike./vizionplus.tv