Degët e PS-së solidarizohen me grevistët

Partia Socialiste ka marrë masat organizative që militantë të saj nga të gjitha qytetet të marrin pjesë aktive në tubimin që është nyjëtuar rreth çadrave të grevës së urisë, duke e dimensionuar në rrafsh të përgjithshëm territorial aksionin opozitar.
Turnetë e organizuara sipas qarqeve pranë grevistëve të urisë, do të plotësohen me socialistë të tjerë nga rrethet, që sot do të mbërrijnë nga Qarku i Beratit.
Rreth një mijë militantë nga tre rrethe pritet të mbërrijnë sot në Tiranë në një protestë që po merr formën e një procesioni të pandalshëm.
“Ne kemi organizuar punën që të nisim drejt kryeqytetit rreth njëmijë socialistë nga tre rrethet e qarkut tonë për të treguar se jemi në mbështetje të plotë të socialistëve që ndodhen në greve urie”, ka deklaruar dje sekretari politik i qarkut, Stavri Ceca.