Dekani i Filologjikut, Laçi: Arkeologjia, Historia dhe Trashëgimia Kulturore janë degë më me interes

Të gjithë ata student që nuk kanë mundur të regjistrohen në raundin e parë dhe të dytë të pranimeve në universitet do tu jepet shansi të regjistrohen në fazën e hapur që nis sot dhe përfundon më 18 tetor.
Dekani i fakultetit Histori- Filologjisë, Sabri Laçi ka sqaruar se për ketë fazë të hapur kanë mbetur në fakultetin që ai drejton 40% e kuotave të lira, por jo në të gjitha degët mundësitë për të fituar janë të njëjta.
”Nuk jemi në të njëjtin hap, në të njëjtin ritëm, në të gjitha degët për sa i përket pranimit. Ka një ecuri shumë të mirë dega gjuhë letërsi, gjeografia, gazetari-komunikimi ka ecur mirë dhe diçka më dobët janë historia dhe arkeologjia dhe trashëgimia kulturore. Ndoshta informacioni për mundësitë që krijojnë këto degë për punësim nuk shkon i plotë tek prindërit dhe të maturantët”, tha Sabri Laçi.
Por cila do të ishte zgjidhja për programet e studimit të cilat vijojnë të kenë kërkesë të ulet nga studentet në këto vitet e fundit?
”Duhen motivuar kërkimet në fushën e arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore, të ketë fonde për kërkimet në terren dhe e dyta pagat, këto janë specialist që e kalojnë kohën në terren dhe për hir të vërtetës nuk kanë ndonjë pagë motivuese”, thotë Dekani i fakultetit Histori- Filologjisë, Sabri Laçi.
Në këtë fazë të hapur që zgjat 15 ditë studentet do të kenë mundësi të regjistrohen në ato programe ku kanë mbetur kuota të lira.
Gazetare K. Toroveci
/RTSH/