E Martë, 3 Nëntor 2026

Deklarata e përbashkët me Fajon, Hasani: Anëtarësimi në BE, prioritet strategjik. Sllovenia avokate e perspektivës sonë

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani në deklaratën e përbashkët për shtyp me homologen sllovake, Tanja Fajon ka theksuar se integrimi i Shqipërisë në BE është për vendin tonë një prioritet strategjik. Hasani theksoi se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në përmbushjen e reformave të kërkuara, teksa konsideroi Slloveninë si “avokate” të fuqishme të perspektivës sonë europiane.

“Shqipëria ka bërë  hapa të rëndësishëm në përmbushjen e reformave për integrimin në BE. Kemi bërë përparim të vazhdueshëm në Reformën e Drejtësisë dhe luftën ndaj krimit të organizuar. Qeveria shqiptare është e vendosur të përmbushë standardet e larta për anëtarësi dhe Sllovenia është avokate e fuqishme për perspektivën tonë evropiane dhe të rajonit. Anëtarësimi në BE, mbetet prioriteti ynë strategjik”, u shpreh Hasani.

Ndalur në marrëdhëniet mes dy vendeve, Hasani tha se ka ende për të bërë në disa fusha, duke veçuar atë të shkëmbimeve tregtare dhe investimeve. Ministri bëri me dije se me Slloveninë do të nënshkruhet një memorandum në fushën e turizmit dhe po ashtu edhe një protokoll bashkëpunimi në arsim.

“Do nënshkruajmë një memorandum në fushën e turizmit apo një protokoll për bashkëpunimin në fushën e arsimit. Ka mjaft për të bërë sidomos në fushën e  shkëmbimeve tregtare investimeve dhe përfitoj nga rasti të theksoj se kompanitë sllovene janë të mirëpritura për të ardhur për të investuar në Shqipëri. Dy vendet tona kanë një histori të pasur bashkëpunimi dhe besoj se do t’i kultivojmë këto marrëdhënie mbi themelet e shëndosha të miqësisë dhe partneritetit strategjik, si në marrëdhëniet dypalëshe edhe në ato shumëpalëshe”, theksoi ministri.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›