Deklaratat e Trump për Groenlandën, Danimarka do të shpenzojë miliarda dollarë më shumë për sigurinë e Arktikut

Danimarka ka deklaruar se do të shpenzojë 2.05 miliard dollarë për të rritur sigurinë në rajonin e Arktikut, në partneritet me territoret autonome të saj Groenlandën dhe Ishujt Faroe.
Marrëveshja përfshin tre anije të reja arktike, më shumë dronë me rreze të gjatë veprimi me kapacitet të avancuar të marrjes së imazhit dhe kapacitet më të fortë satelitor.
“Ne duhet të përballemi me faktin se ka sfida serioze lidhur me sigurinë dhe mbrojtjen në Arktik dhe Atlantikun Verior,” tha ministri i mbrojtjes i Danimarkës Troels Lund Poulsen.
Ky veprim vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump ka thënë vazhdimisht se dëshiron të blejë Groenlandën, një ishull i cili ka autonomi të gjerë, por që mbetet pjesë e Danimarkës.
I pyetur më parë në janar nëse mund të përjashtonte përdorimin e forcës ushtarake apo ekonomike për të marrë territorin, Trump tha jo.
Groenlanda, territori më pak i populluar në botë, ka rreth 56 mijë banorë, kryesisht indigjenë inuitë.
SHBA ka kohë që ka deklaruar një interes të shtuar për Groenlandën. Pasi Gjermania naziste pushtoi Danimarkën kontinentale gjatë Luftës së Dytë Botërore, SHBA pushtoi Groenlandën, duke krijuar stacione ushtarake dhe radiofonike në të gjithë territorin. Ajo ka mbajtur një prani në rajon që atëherë.
Groenlanda shtrihet në rrugën më të shkurtër nga Amerika e Veriut për në Evropë, duke e bërë atë strategjikisht të rëndësishme për SHBA.
Vitet e fundit, ka pasur interes në rritje për burimet natyrore të Groenlandës, duke përfshirë minierat për mineralet e tokës së rrallë, uraniumin dhe hekurin.
Kryeministri i Gorenlandës ka thënë se territori nuk është në shitje, duke shtuar se “Groenlanda i përket popullit të Groenlandës”.
Kryeministri i Danimarkës i ka thënë Trump se varet nga Groenlanda për të vendosur të ardhmen e vet.
/rtsh.al/