E Diel, 1 Nëntor 2026

Delegacioni i BE-së në Tiranë nën hetim për tenderin e Drejtësisë

Zyra anti-korrupsion e Bashkimit Europian, OLAF, ka nisur një hetim kundër Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri mes akuzave se një tender me vlerë 4 milionë euro u karakterizua nga ndikim i padrejtë, zbulon BIRN.

Zv/kryeministri Niko Peleshi, Presidenti Bujar Nishani, Ministri i Drejtësisë Nasip Naco dhe ambasadorja e Delegacionit Europian në Tiranë Romana Vlahutinduke prezantuar EURALIUS IV më 19 nëntor 2014 në Tiranë. Foto: LSA

Një dokument i siguruar nga BIRN tregon se OLAF ka nisur një hetim pasi pa në tërësi ankesën e dorëzuar kundër tenderit, i cili u zhvillua në maj nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë.

“OLAF ka rishikuar informacionin e marrë në përputhje me Rregulloren 883/2013 dhe ka hapur një hetim,” shkruhet në dokument.

Hetimi përqendrohet në tenderin për projektin EURALIUS IV, i cili u zhvillua në maj 2014 për një vlerë prej 4 milionë eurosh dhe u fitua nga një kompani konsulence gjermane IRZ.

Delegacioni i BE-së në Tiranë dhe kompania gjermane e konsulencës i hodhën poshtë akuzat.

“Akuzat për parregullsi në lidhje me vlerësimin për EURALIUS IV janë të gabuara dhe hidhen poshtë prerazi nga Komisioni Europian,” i tha BIRN në një deklaratë Clive Rumbold, kreu i seksionit politik dhe ekonomik në Delegacionin e BE-së ë Tiranë.

“Vlerësimi u bë nga një skuadër stafi profesionistësh të cilët e bazuan vendimin e tyre mbi kriteret teknike në përputhje me procedurat e BE-së,” shtoi ai.

IRZ nga ana e vet i përshkroi akuzat për korrupsion në tender vetëm si “qejfmbetje” nga konkurrenca në procesin e prokurimit.

EURALIUS është Misioni i Asistencës Europiane për Sistemin e Drejtësisë në Shqipëri. Objektivi i përgjithshëm i projektit është “afrojë Sistemin e Drejtësisë së Shqipërisë me standardet e Bashkimit Europian përmes ndihmës teknike të ofruar nga vendet anëtare të BE-së.”

Projekti mbështet reformën në sistemin e drejtësisë në Shqipëri ‘në përputhje me prioritetet e acquis të BE-së në Drejtësi dhe të Drejtat Themelore si dhe praktikave më të mira Europiane e standardeve në këtë fushë.’

Misioni i parë EURALIUS në Shqipëri nisi nën programin CARDS 2002 të BE-së dhe u zbatua përmes një konsorciumi që përfshinte ministritë e drejtësisë së Gjermanisë dhe Italisë. Projekti u shty nga viti 2007 deri më 2010 dhe u riemërua EURALIUS II.

Misioni i tretë EURALIUS u bazua në një grant të financuar nga Instrumenti i Ndihmës Para Anëtarësimit, IPA në vitin 2009 dhe u zbatua nga Ministria Spanjolle e Drejtësisë në konsorcium me Këshillin e Lartë të Magjistratëve të Italisë.

Akuzat mbi tenderin e EURALIUS fillimisht u shfaqën në blogun gjysmëzyrtar të misionit EURALIUS III më 14 maj.

Një postim në blog aludonte se vendimi i Delegacionit të BE-së për t’i dhënë katër milionë euro projekt për misionin Euralius IV një konsorciumi të udhëhequr nga Gjermania, me pjesëmarrjen e Austrisë, qe ‘pastër politik dhe dukshëm kundër rregullave dhe ligjeve të BE-së.’

Blogu me titullin ‘Korrupsion në Delegacionin e BE-së në Shqipëri,’ një kopje e të cilit u mor nga BIRN, qëndroi i publikuar për vetëm pesë ditë deri sa u fshi më 19 maj, pas presionit nga Delegacioni i BE-së në Tiranë.

“Në biseda të ndryshme, ekspertët dhe zyrtarët e Delegacionit të BE-së kanë pranuar se propozimi tjetër [udhëhequr nga Spanja, me pjesëmarrjen e Italisë dhe Francës] qe teknikisht shumë më mirë dhe më i leverdishëm për reformën e drejtësisë,” shkruhej në këtë postim në internet.

“Gjithsesi ata e justifikojnë vendimin me presionin politik që u mor nga qeveria aktuale e Partisë Socialiste të Shqipërisë,” pretendoi blogu.

Ish anëtarë të skuadrës spanjollo-italiane që drejtuan EURALIUS III morën pjesë gjithashtu në tender për misionin e ri [EURALIUS IV] dhe pretendojnë se vendimi për t’ia dhënë gjermanëve kontratën qe i motivuar politikisht dhe ata akuzojnë Delegacionin e BE-së në Shqipëri për korrupsion.

Në një intervistë me BIRN, ish kreu i misionit EURALIUS III, Juaqin Urias, mbështeti akuzat e postuara në blog dhe akuzoi Delegacionin e BE-së në Shqipëri për mungesë transparence dhe paaftësi.

“Propozimi ynë është i saktë dhe bazohet në atë se çfarë po ndodh në sistemin e drejtësisë në Shqipëri ndërsa gjermanët as nuk kanë fare një Këshill të Lartë të Drejtësisë,” tha Urias për BIRN gjatë intervistës në muajin maj.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë është një nga institucionet e Shqipërisë të cilin EURALIUS IV ka për detyrë ta reformojë.

Megjithëse Urias mohoi se ai qe autori i postimit në blogun e EURALIUS, ai tha se akuzat qenë të besueshme dhe hodhi dyshime mbi procedurën e tenderit.

“Faktet e përmendura duken të dyshimta,” tha Urias. “Unë nuk mund të jem i sigurtë se ka korrupsion por çështja mban erë të keqe,” shtoi ai.

Një ish profesor i ligjir në Universitetin e Seviljes dhe Këshilltar në Gjykatën Kushtetuese të Spanjës, Urias drejtoi misionin EURALIUS III nga viti 2010 deri në qershor 2013. Pasi misioni përfundoi, ai u punësua nga Delegacioni i BE-së në Tiranë deri në fillim të vitit 2014.

Urias akuzoi Delegacionin për mungesë transparence në mënyrën se si ata shpërndanë fondet e asistencës.

“Ti ke katër milionë euro për asistencë teknike, jo katër milionë euro për të mbajtur të lumtur qeverinë,” theksoi Urias. “Problemi është kur ata përdorin paratë e BE-së si paratë e veta,” shtoi ai.

Gjatë punës së tij në Delegacionin e BE-së në Tiranë, ai mbuloi reformën në drejtësi për raportin vjetor të progresit të Shqipërisë që hartohet nga Komisioni Europian.

Sipas Urias megjithëse shqiptarët meritojnë të jenë pjesë e BE-së, politikanët në Tiranë thjeshtë sa po i lëpihen Brukselit kur bëhet fjalë për reforma ndërsa delegacioni vendor është tepër i dobët dhe me raste, i paaftë për t’i bërë presion.

“Disa nga stafi i BE-së nuk janë profesionistë të mirë dhe shumica e stafit të Delegacionit të BE-së nuk janë nëpunës civilë,” tha Urias.

“Nëse në vendet tona [Spanjë] njerëzit do ta dinin se sa e dobët është BE-ja në negociata me vende të tjera [Shqipërinë] do të qe tronditje e madhe, një skandal,” përfundoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›