Delegacioni i BQE viziton Tiranën, Sejko: Inflacioni pritet të kthehet në objektiv brenda 2024

Një delegacion i Bankës Qendrore Evropiane zhvilloi një vizitë pune në Bankën e Shqipërisë, në kuadër të dialogut me partnerët evropianë për vlerësimin e programit të reformave ekonomike për vitin 2023.
Qëllimi i kësaj vizite ishte diskutimi i zhvillimeve dhe politikave ekonomike, financiare e bankare, me drejtues të Bankës së Shqipërisë.
Gjatë takimit Guvernatori Gent Sejko, njohu delegacionin më në detaje me zhvillimet më të fundit makroekonomike të Shqipërisë dhe pritshmerite e BSH-së për ecurinë e ekonomisë së vendit.
Guvernatori Sejko theksoi se ekonomia shqiptare ka shfaqur një rezistencë të konsiderueshme ndaj goditjeve të ardhura nga pandemia dhe së fundmi, nga lufta në Ukrainë.
Ai theksoi se rimëkëmbja ekonomike pas emergjencës së pandemisë ka qenë e shpejtë dhe e gjithanshme, duke dëshmuar si bilancet e shëndosha dhe fleksibilitetin e sektorit privat, ashtu edhe kursin e duhur të politikave monetare, financiare dhe fiskale gjatë kësaj periudhe.
Me tej Sejko u shpreh se perspektivat e treguesve kryesorë ekonomikë mbeten relativisht solide dhe se Ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet gjatë viteve në vazhdim, ndërsa inflacioni pritet të kthehet në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2024.
Në mbyllje, Guvernatori falënderoi BQE-në për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Bankës së Shqipërisë, mbështetje kjo e shprehur jo vetëm në formën e shkëmbimit të informacionit dhe të dialogut të vazhdueshëm mbi politikat, por edhe në formën e linjës së likuiditetit në vlerën 400 milionë euro të akorduar gjatë pandemisë dhe të rinovuar së fundmi.
/rtsh.al/