E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dëmet nga tërmeti në Lezhë, 50 banesat e fundit dhe një pallat do të rindërtohen nga Bashkia

Procesi i rindërtimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti në Lezhë do të përmbyllet brenda vitit të ardhshëm, duke zgjidhur përfundimisht problemin e strehimit për 60 familje.

Nga këto, 26 kanë përfituar fondin financiar të miratuar nga Këshilli i Ministrave, ndërsa për 24 banesa individuale dhe një pallat, ndërtimi do të kryhet nga Bashkia Lezhë.

Këshilli Bashkiak ka miratuar vendimet që i hapin rrugë financimit të projekteve, dhe sipas kryetarit të bashkisë Pjerin Ndreu, kjo është një ndërhyrje e domosdoshme për mbylljen e plotë të procesit.

“Ndërtimin e 50 shtëpive ne do të disponohemi me shtim duke bërë sipas procesit dhe manualit përkatës. 26 familje kanë kërkuar tu jepen paratë dhe ne do t’jua japim me dëshirën e tyre dhe e quajmë të ezauruar, ndërsa 24 familje të tjera do të ndërhymë për ti ndërtuar shtëpitë”, u shpreh Kryetar i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu.

Ndërkohë, procedurat për ndërtimin e pallatit në lagjen “Besëlidhja” janë drejt përfundimit, ndërsa banorët do të vijojnë të trajtohen me bonus qiraje deri në përfundim të rindërtimit të banesave të tyre.

Gazetar: M. Marashi

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›