E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Demo për ATSH-në: Investime të reja në Berat për t’iu përgjigjur fluksit shpërthyes të turizmit

TIRANË, 15 dhjetor/ATSH/ Berati, qyteti unik i futur në listën e pasurive të trashëgimisë botërore të UNESCO-s, i ngritur buzë lumit Osum falë investimeve të kryera dhe atyre që do të kryhen në infrastrukturën rrugore dhe zonat historike gjatë 2025 do të shënojnë një fluks të lartë turistësh.

Kryetari bashkisë së Beratit, Ervin Demo tha në një intervistë për ATSH-në se “këto shërbime të munguara i përgjigjen sfidës sonë për ta patur Beratin qytetin më të pastër në Shqipëri, si edhe për t’iu përgjigjur fluksit shpërthyes të turizmit”.

Lidhur me investimet që do të kryhen në vitin 2025, Demo tha se “kemi filluar punën për hartimin e Planit të Menaxhimit të Kalasë, në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe në fundin e vitit 2025 ne presim të fillojmë me projektet e ndërhyrjeve rivitalizuese në Kala”.

Ndërkohë, tha Demo, vijon puna për ndërtimin e Urës së Bilçës me financim të Komisionit Europian dhe BERZH, duke plotësuar një ëndërr të vjetër të banorëve të Bilçës dhe duke zgjeruar paketën turistike të bashkisë Berat edhe me atraksione të eko-turizmit.

“Ura e Bilçës do ta kthejë Bilçën në një lagje të Beratit, duke qenë praktikisht vetëm 3 minuta larg. Po vijon puna edhe për ndërtimin e Parkut Antipatrea tek ish- Stadiumi i vjetër, me financim të qeverisë shqiptare, i cili do të kthehet në një vend rekreativ dhe argëtimi për gjithë banorët, me fusha të reja basketbolli, volejbolli, minifutbolli, pistë vrapimi, fusha tenisi, kënde lojërash, pistë për biçikletë dhe hapësira për ecje”, theksoi Demo.

Në fushën e shërbimeve publike, Demo bëri të ditur se “fillojnë dy investime shumë të rëndësishme, investimi  I Bankës Gjermane KFË në menaxhimin e ujërave të zeza, nëpërmjet një financimi prej 12.5 mln euro, për ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza, gjithashtu edhe mbështetjen me flotën e mjeteve për shërbimet e pastrimit për Bashkinë Berat, e cila u mundësua në tre mujorin e fundit të vitit 2024”.

Këtë vit, bashkia Berat ka bërë  revolucion në fushën e pastrimit dhe mirëmbajtjes së zonave muzeale, pastrimin e shtratit të lumit Osum nga mbetjet urbane.

Kryebashkiaku Demo u shpreh se “në nëntor të këtij viti filloi procesi  i riciklimit të mbetjeve urbane. Ndërsa në fund të vitit 2024 përfundon edhe projekti i ndriçimit ‘’Smart energy’’ në akset Bulevardi Republika ( Pedonalja) – Gjimnazi Babde Dude Karbunara, duke patur jo vetëm një ndriçim me kosto shumë herë më të ulët me teknologjinë LED, por edhe ndriçues, të cilët i shkojnë për shtat arkitekturës së lagjeve muzeale”.

Sa përket investimeve në fushën e arsimit, Demo tha se “do të vijojë ndërtimi i shkollës model ”22 tetori”, pas përfundimit të gjimnazit ”Babë Dedë Karbunara””.

Një vend të rëndësishëm në investimet  në Berat zë edhe infrastruktura rurale.

“Pas përfundimit të rrugëve Mimias, Karkanjoz, Drobonik, Velabisht- Starovë, ndërtimi i Urës së Gjorovenit, fermerëve do t’u vijë në ndihmë edhe investimi që fillon së shpejti për krijimin e tregut fruta perime, në rrugën Stavri Naco, Rajoni nr. 1, ku rreth 120 fermerë do të tregtojnë produktet e tyre në tregun e produkteve të fshatit”, tha Demo.

Demo u shpreh se “gjithashtu, në vitin 2025 do të përfundojë rruga “Shkëmbi” në Kala, duke zgjeruar aksesin e vizitorëve, rruga Vodicë – Qafë Dardhë, drejt Parkut Kombëtar të Tomorrit, rruga Sinje – Mbjeshovë – Mallakastër, Rruga e Goricës ndërmjet dy urave, rrethrrotullimi i Spitalit, mobilimi urban në lagjen “Donika Kastrioti”, si dhe vijimi i investimeve në fshatrat turistikë me rrugën Bilcë – Drobonik”.

Vitet e fundit bashkia e Beratit po kryen një sërë investimesh në infrastrukturën e rrugëve të qytetit, si dhe në trotuare, instalimin e sistemit të ndriçimit, përmirësimin e rrjetit të furnizimit me ujë dhe rrjetin e ujërave të zeza.

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›