E Diel, 1 Nëntor 2026

Demo viziton në Spitalin e Traumës efektivët e plagosur: 51 punonjës policie janë lënduar gjatë dhunës

TIRANË, 14 tetor /ATSH/ Ministri i Brendshëm, Ervin Demo vizitoi efektivët e Policisë së Shtetit të lënduar gjatë akteve të dhunës së sotme, të cilët po marrin trajtim mjekësor në Spitalin e Traumës.

Demo bëri të ditur se 51 punonjës të Policisë së Shtetit janë lënduar gjatë episodeve të dhunshme, ndërsa disa prej tyre ndodhen aktualisht në spital, ku po marrin kujdesin e nevojshëm mjekësor.

“Pas çdo uniforme është një njeri. Një prind, një bir, një bijë, një familjar që ka dalë nga shtëpia për të përmbushur detyrën dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve”, u shpreh ministri.

Demo e cilësoi të papranueshme dhunën ndaj punonjësve të policisë, duke theksuar se e drejta për të protestuar është e garantuar, por nuk mund të përdoret si justifikim për akte dhune.

“E drejta për të protestuar është e garantuar, por dhuna ndaj atyre që kanë për detyrë të mbrojnë rendin dhe sigurinë nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë pjesë e saj”, deklaroi ai.

Ministri shprehu mirënjohje për efektivët që, sipas tij, vijuan përmbushjen e detyrës përballë dhunës dhe rrezikut, me profesionalizëm dhe përgjegjësi.

“Ju uroj shërim sa më të shpejtë të gjithë efektivëve të lënduar! Jemi pranë jush dhe familjeve tuaja”, theksoi Demo.

“Pas uniformës është njeriu. Pas detyrës është sakrifica. Dhe kjo sakrificë meriton respektin e të gjithëve”, përfundoi ministri.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›