Demonstruesi është personalitet i vitit

Nëpërmjet përzgjedhjes së bërë, magazina ‘Time’ ka dashur t’iu ndajë njëlloj mirënjohjeje demonstruesve, sepse ishin pikërisht ata që i dhanë një kuptim të ri fuqisë që përfaqëson populli.
"Gjatë këtij viti njerëzit u ankuan ndaj mënyrave tradicionale të udhëheqjes dhe ndaj paaftësisë së institucioneve. Politikanët nuk shikojnë më larg se zgjedhjet e ardhshme dhe refuzojnë të bëjnë lëvizje vendimtare. Pikërisht kjo ishte njëra prej arsyeve se përse këtë vit nuk e përzgjodhëm vetëm një person.
Mirëpo, këtë herë lidershipi erdhi nga fundi i piramidës, e jo nga kulmi i saj. Për shfaqjen dhe nënvizimin e një nevoje globale për premtime të fuqishme, për rrëzimin e qeverive dhe për një mendje të shëndoshë, për kombinimin e teknikave më të vjetra me teknologjitë më të reja, për hedhje të një dritë të re në dinjitetin njerëzor dhe, në fund, për dhjetimin e planetit nga shekulli i 21’të, një shekull ky më demokratik por nganjëherë edhe më i rrezikshëm, kemi vendosur që si Personalitet të Vitit t’i emërojmë demonstruesit”, thuhet në arsyetimin e shpalljes së nderit të ‘Time’ magazine.
“Jemi dëshmitarë të asaj se protestat po përhapen si infeksione”, tha për televizionin NBC kryeredaktori i ‘Time’, Richard Stengal.
“Këta janë njerëz që sot po e ndryshojnë historinë, dhe që atë do ta ndryshojnë edhe në të ardhmen”.
Nderimi i përbashkët i demonstruesve triumfoi ndaj kandidatëve individualë, në mesin e të cilëve ishte edhe admirali William Mcraven, komandant i operacionit për vrasjen e liderit të Al-Qaedas, Osama bin Laden.
Vitin e kaluar për personalitet të vitit ‘Time’ magazina zgjodhi themeluesin e rrjetit social Facebook, Mark Zuckenberg, i cili mposhti një tjetër guru të telekomunikacioneve të shekullit të 21’të, Julian Assange. Kësaj radhe, lista e kandidatëve ishte e fokusuar vetëm në figurat politike, siç janë Mcraven, disidenti kinez Ai Weiwei dhe kongresisti amerikan me ndikim, Paul Ryan, i cili është kryesues i Këshillit të Buxhetit të SHBA’ve.
Po ashtu, pjesë e listës së sivjetme ishte edhe Kate Middletone, të cilës, falë martesës me princin William, i përshkruhet merita e sjelljes së një fryme të re brenda monarkisë monotone britanike.
“Admirali Mcraven eliminoi Bin Ladenin, por Middletone i pushtoi zemrat tona”, theksoi Stengel.
Megjithatë, ai pohon se ishte komiteti zgjedhor ai që në fund, dhe në mënyrë të fshehtë, mbështeti protestat rrugore “të meshkujve dhe femrave në gjithë botën, e në veçanti në Lindjen e Afërt, të cilët rrëzuan pushtetet dhe sollën demokraci dhe dinjitet, të cilat nuk i kishin më parë”.
“Ne menduam se ata diktatorë kurrë nuk do të rrëzoheshin. Mirëpo, këta njerëz rrezikuan jetët e tyre për të shprehur qëndrimin e tyre dhe për të sjellë ndryshimet që askush nuk i ka pritur. Kjo vërtet është një gjë transformuese, që mendoj se po e ndryshon botën për të mirë”, thekson ai.
Në arsyetimin e mirënjohjes së ‘Time’ magazinës, të themeluar në vitin 1927, theksohet edhe ajo se protestat e para dhe më dramatike që u iniciuan në botën arabe i inspiruan edhe demonstratat tjera nëpër botë. Demonstruesit, në listën goxha të gjatë të shteteve, në mesin e të cilëve janë edhe Izraeli, India, Çile, Kina, Britania e Madhe, Spanja dhe Shtetet e Bashkuara, lëvizjet e tyre haptazi i ndërlidhnin me revolucionet që e shkundën Lindjen e Afërt.
Kështu, në muajin shtator lëvizja Occupy Wall Street, e cila e filloi jetën e vetë në New York, së shpejti i zgjerua edhe në qytetet tjera amerikane, ndërkohë që në fund të vitit u shfaq edhe në Rusi, ku ende po vazhdon zgjerimi i rebelimit të popullatës i shkaktuar nga zgjedhjet e vjedhura dhe nga diktatura a partisë në pushtet.
Në ballinën e magazinës ‘Time’ të hënën do të gjendet fotografia e një demonstrueseje me fytyrë të mbuluar, gjatë trazirave në botën arabe.
“Pasojat ndryshojnë nga shteti në shtet. Në Amerikën Veriore dhe në shumicën e vendeve të Evropës nuk ka diktatorë, dhe disidentët nuk janë objekte torturimi”, thuhet në artikullin e magazinës.
“Për çdo ditë aktivistët në Tunizi, Egjipt apo Siri, të cilët tubohen nëpër rrugë e sheshe, e dinë se mund të rrihen ose të qëllohen, e jo vetëm të spërkaten me spërkatës biberi apo të lidhen me pranga plastike”.