E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demontimi i rreme ne Polican

Fiks Fare nëpërmjet investigimit ka zbuluar se si kryhet ripaketimi i fishekëve të cilët dërgohen për demontim në Kombinatin Mekanik të Poliçanit.

Investigimi i “Fiks Fare” është kryer pas denoncimit të bërë nga ana e kryetarit të bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotko.

“Ju drejtova emisionit tuaj si i vetmi i pakapur nga partia në pushtet. Kam dështuar me të gjitha përpjekjet që kam bërë duke iu drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes dhe kryeministrit për të ndaluar shkatërrimin dhe abuzimet që po bëhen në këtë kombinat. Sot, paratë e qeverisë amerikane për demontimin e fishekëve përdoren për një demontim të rremë për fishekë që nisen për shitje. I bëj thirrje organeve kompetente që të ngrenë një grup hetimor dhe të vijnë të shohin si falsifikohen datat dhe si ambalazhohen fishekët për t’u shitur”, ka thënë Zotko.

Kamera e “Fiks Fare” është futur në ambjentet e kombinatit, duke dokumentuar përmes xhirimeve praninë e madhe të arkave të drurit të mbushura me fishekë, si dhe punën që bëhet brenda saj.

Kjo punë konsiston pikërisht në pastrimin e fishekëve të vjetër dhe ripaketimin e tyre. “Ne i fusim në 38 pako. Ju kërkuat 30 pako, por ne fusim 38”, ka thënë një punonjëse, e filmuar nga kamerat e fshehta.

Nga fokusimi i kamerave tek objektet duket fare lehtë data e falsifikuar që ndodhet mbi pakot e fishekëve, që janë për armë automatike të tipit kallashnikov, që normalisht për vendet e NATO-s është diçka e ndaluar.

Është ky i njëjti proçes që kryehej edhe në Gërdec, ku fishekët e vjetër ripaketoheshin si prodhim i ri për t’u shitur.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›