Dëmshpërblimi i pronarëve, javën tjetër nis aplikimi
Hyn në fuqi vendimi për dëmshpërblimin e pronarëve
Hyn në fuqi ligji për dëmshpërblimin e pronarëve, toka e të cilëve është zënë nga ndërtimet pa leje. Ky vendim është botuar tashmë në fletoren zyrtare së bashku me formularin që duhet të plotësojnë ish-pronarët. Ndërkohë që burime nga AKKP-ja kanë pohuar për gazetën se në fillim të javës së ardhshme çdo ish-pronar duhet të drejtohet në zyrën e AKKP-së për tu informuar për të gjitha procedurat që do të ndjekë, në mënyrë që të marrë dëmshpërblimin që i takon. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, AKKP-ja realizon ndarjen e fondit aktual të kompensimit të pronave në vlerë proporcionale me masën përkatëse të parashikuar në listat bashkëlidhur vendimeve, të miratuara deri më tani.
Aplikimi
Botohet në fletoren zyrtare vendimi i qeverisë nr. 383, datë 19.5.2010 Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale. Kjo bën të mundur që vendimi të hyjë menjëherë në fuqi dhe AKKP të bëjë njoftimin për aplikuesit. Sipas vendimit të miratuar nga qeveria në njoftimin publik duhet të përcaktohen: a) gjeneralitetet e përfituesit; b) periudha kohore e paraqitjes së kërkesës; c) dokumentacioni i nevojshëm shoqërues i kërkesës; ç) vlera e tarifës së shërbimit; si dhe d) detyrimi për subjektet përfituese për të hapur, në emër dhe për llogari të tyre, një llogari bankare në njërën nga bankat e nivelit të dytë. Procesi i regjistrimit/pranimit të kërkesave për kompensim fillon 5 ditë pas datës së njoftimit publik dhe vazhdon për 30 ditë. Më tej me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së do të ngrihet grupi i punës për pranimin e shqyrtimin e kërkesave, me objekt shpërblimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale dhe shpërndarjen e fondit përkatës. Kjo procedurë do të kryhet për çdo fond që i kalon AKKP-së sipas ligjit nr. 10239, datë 25.2.2010, Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave dhe në zbatim të vendimeve të Këshillit të Ministrave, ku përcaktohet shpërblimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale.
Detyrat e AKKP-së
Grupi i punës, i cili do të ngrihet nga AKKP-ja, do të verifikojë legjitimimin e kërkuesit për çdo kërkesë për kompensimin e pronës; do të kontrollojë dokumentacionin e paraqitur nga subjekti përfitues; do të konfirmojë të dhëna të tjera të nevojshme pranë institucioneve përkatëse; do të hartojë relacionin, në të cilin i propozon drejtorit të Përgjithshëm kalimin e shumës në numrin e llogarisë bankare përkatëse; do të hartojë listën e subjekteve që kompensohen. Më tej, kreu i AKKP-së do të nxjerrë vendimin për miratimin e listës së subjekteve që kompensohen, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare ku do të derdhet vlera e kompensimit. Po kreu i agjencisë duhet të urdhërojë publikimin e listës së subjekteve që kompensohen dhe më tej njoftohet edhe kërkuesi që nuk përfshihet në listën e subjekteve që kompensohen, duke përcaktuar arsyet e mospërfshirjes. AKKP-ja kryen veprimet me degën e thesarit dhe bankën e nivelit të dytë për derdhjen e shumës në depozitën bankare, të hapur për këtë qëllim nga subjekti përfitues, në përputhje me procedurat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit.
Procedurat e legalizimit, hyn në fuqi vendimi
Ka hyrë në fuqi vendimi i qeverisë për kriteret, procedurat dhe tipin e formularit të lejes së legalizimit. Në bazë të këtij vendimi Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale lëshon lejen e legalizimit, për objektin/shtesën pa leje në ndërtime me leje, kur: a) për objektin/shtesën pa leje në ndërtime me leje është kryer vetëdeklarimi vullnetar brenda afatit ligjor; b) objekti/shtesa pa leje në ndërtime me leje nuk ndodhet në kushtet e përjashtimit nga legalizimi, në përputhje me dispozitat e ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006 Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje, të ndryshuar; c) për objektin/shtesën pa leje në ndërtime me leje është plotësuar dokumentacioni tekniko-ligjor, i parashikuar në nenet 27 e 37 të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, të ndryshuar; ç) subjekti posedues ka shlyer pagesat e parashikuara në pikat 1, 2, 3 dhe 5 të vendimit nr. 1180, datë 3.12.2006 të Këshillit të Ministrave Për përcaktimin e vlerës së tarifës së shërbimit dhe mbledhjen e administrimin e të ardhurave të procesit të legalizimit, të ndryshuar.
Dokumentacioni që duhet të plotësojnë ish-pronarët për tu dëmshpërblyer
a) Kërkesën për kompensimin e pronës sipas formatit tip;
b) Dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil. Për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial të sillet certifikatë familjare e personit, për të cilin është lëshuar kjo dëshmi trashëgimie;
c) Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjitha subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre;
ç) Vërtetimin e lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare në emër dhe për llogari të subjektit përfitues, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare ku do të transferohet vlera financiare e përfituar;
d) Fotokopjen e dokumentit të identifikimit, si dhe certifikatën familjare të kërkuesit dhe
dh) Mandatpagesën, që vërteton pagimin e tarifës së shërbimit.