E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dëmtimi i investimeve publike në Shkodër, Bashkia apelon qytetarët: Mbrojini, dëmi i konsiderueshëm!

Në bashkinë e Shkodrës, një fenomen shqetësues që përsëritet vazhdimisht është edhe dëmtimi i investimeve publike.

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimit dhe Monitorimit në Bashkinë e Shkodrës, Altin Shabaj, në një intervistë për RTSH ka bërë një apel të hapur drejtuar qytetarëve, duke u kërkuar atyre të tregohen më të kujdesshëm ndaj aseteve publike.

“Rastet janë të shumta, si në Shkodër, si në Velipojë, por pjesën e investimeve publike qytetarët e shohin si të mos ishte. Në qoftë se ne nuk kemi një bashkëpunim të mirë me qytetarët për t’i denoncuar e për t’i ruajtur këto investime i bie që të përsërisim të njëjtat investime disa herë,” thotë z. Shabaj.

Ai theksoi se investimet që realizohen janë me fondet e taksapaguesve shkodranë dhe se dëmtimi i tyre nuk ka vetëm kosto financiare, por gjithashtu dëmton edhe imazhin e qytetit.

“Normalisht që është një dëm kolosal përderisa aty prishen nga pesë stola përnjëherë, hiqen pllakat e trotuarit, koshat e vegjël vidhen. Kemi rastin e xhepit të një kontejneri të mbetjeve në Shirokë, që i kanë vjedhur derën,” tregon drejtori i Shërbimit dhe Monitorimit në Bashkinë Shkodër.

Vitet e fundit, Bashkia e Shkodrës është kthyer jo vetëm në investues, por edhe riparues i dëmtimeve që kryhen në zona të ndryshme nga persona të papërgjegjshëm. E këto të fundit harrojnë se të gjitha këto para dalin nga taksat e vetë qytetarëve shkodranë. 

Gazetar: Mirsad Rakaj

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›